Tokio 2020

Presidentja Osmani falënderon Majlindën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në arenën “Nippon Budokan” në Tokio të Japonisë për të parë nga afër paraqitjen e Majlinda Kelmendit. Kelmendi të dielën u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo.

Por për presidenten Osmani, Majlinda mbetet kampione e përhershme olimpike.

“Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin”, ka shkruar Osmani në “facebook”.

Trajneri Driton Kuka, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka dhe shumë të tjerë kanë shkruar mesazhe përkrahje për Majlindën, që e ka përjetuar rëndë ndaljen e hershme në Tokio.

“Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave.

Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!”, ka shkruar tutje presidentja Osmani.