Tokio 2020

Sportistët e Rusisë të dyshuar për doping, u ndaluan të shkonin në Tokio

Descriptive Text

Disa sportistëve rusë u janë mohuar vendet në ekipin olimpik të Rusisë me 335 sportistë për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, sepse ata janë nën dyshimin për përdorimin e dopingut.

Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) tha të premten se ndërhyri për të ndaluar disa rusë të garonin në Olimpiadë bazuar në provat nga laboratori i testimit në Moskë që u mbyll në vitin 2015. Baza e të dhënave dhe mostrat nga laboratori i mbyllur u dhanë më në fund në vitin 2019 për WADA-n, e cila përgatiti dhe ndau rreth 300 raste të mundshme për organet drejtuese të sporteve olimpike.

“Nuk ishte veçanërisht e komplikuar”, tha drejtori i përgjithshëm i WADA-s, Olivier Niggli. “Nuk kishte shumë, por kishte një grusht, do të thosha, të atletëve që ende do të ishin potencialisht në Lojërat të cilat ne do t’i kualifikonim si raste të forta, bazuar në të dhënat. Dhe asnjëri prej tyre nuk është në Tokio, sepse ata nuk do të garojnë”.

Pasojat nga rasti i bazës së të dhënave çuan në një ndalim të identitetit kombëtar të Rusisë në Lojërat Olimpike të Tokios dhe Lojërat Dimërore të Pekinit që do të mbahen vitin e ardhshëm.

335 sportistë të akredituar për LO “Tokio 2020” zyrtarisht garojnë për ROC, shkurtesa për Komitetin Olimpik të Rusisë. Fjala “Rusi” nuk figuron në uniformat e tyre. Sportistët e Rusisë që marrin medalje të arta në Tokio nuk do ta dëgjojnë himnin e tyre kombëtar kur të ngjiten në podium, por një pjesë të njohur të muzikës në piano të kompozuar nga Tchaikovsky. Lart do të ngrihet një flamur olimpik rus, jo flamuri kombëtar me vija horizontale të bardha, blu dhe të kuqe.

Marrja e bazës së të dhënave nga Rusia supozohej të sillte mbylljen e skandalit të dopingut të mbështetur nga shteti që njollosi Lojërat Dimërore të “Sochi 2014” dhe parandaloi shumë sportistë të shkonin në Lojërat Olimpike të vitit 2016 që u mbajtën në Rio de Janeiro të Brazilit.

Hetuesit e WADA-s, zbuluan se baza e të dhënave ishte manipuluar, ndërsa ishte në duart e zbatimit të ligjit rus. Informacionet u ndryshuan dhe u fshinë dhe postat elektronike të rreme u përpoqën të inkriminonin zyrtarët e laboratorit të cilët u bënë sinjalizues.

Një panel prej tre gjykatësve të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv vendosi një dënim dyvjeçar për Rusinë në dhjetor, ndonëse WADA fillimisht kërkoi katër vjet. WADA shprehu zhgënjimin e saj për vendimin e CAS-it në një konferencë shtypi të premten në Tokio.

“Ne kemi pasur dhe ofruar argumentet tona, kemi marrë një vendim, që është kërkesa për dënim katërvjeçar”, tha Niggli.

Një koncesion nga CAS-i është lejimi i uniformës ruse të jetë në të bardhë, të kuqe dhe blu, ngjyrat e flamurit kombëtar të vendit. Rusët nuk u lejuan të vishnin ngjyrat e tyre në dy kampionatet e kaluara botërore të atletikës dhe WADA donte uniforma neutrale në Lojërat Olimpike të Tokios.

“CAS-i vendosi që kjo po shkonte shumë larg, kjo ishte e padrejtë për një brez atletësh që nuk kishin asnjë lidhje me atë që ndodhi në të kaluarën”, tha Niggli. “Pjesa më e madhe, e madhe e delegacionit që është këtu nga Rusia përbëhet nga atletë që nuk ishin duke garuar në vitin 2012, 2013, 2014”.