Tokio 2020

Rreth 100 sportistë amerikanë të pavaksinuar në Lojërat Olimpike

Rreth 100 nga 613 sportistët amerikanë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë të pavaksinuar, tha shefi mjekësor i Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së, pak para ceremonisë së hapëse të kësaj ngjarjeje. Jonathan Finnoff tha se 567 nga sportistët amerikanë kishin plotësuar historikun e tyre shëndetësor ndërsa përgatiteshin për udhëtimin dhe vlerësohet se 83 për qind prej tyre ishin përgjigjur se ishin të vaksinuar.

"Tetëdhjetë e tre për qind është në të vërtetë një numër i konsiderueshëm dhe ne jemi mjaft të kënaqur me këtë shifër”, tha Finnoff. Kombëtarisht, 56.3 për qind e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. IOC-ja, ka vlerësuar se rreth 85 për qind të banorëve të Fshatit Olimpik janë të vaksinuar; kjo bazohet në atë që raporton komiteti olimpik i secilit vend.

Deri më tani, vetëm dy sportistë amerikan dihet se kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe janë në mesin e 13 rasteve të sportistëve të raportuar deri më tani në Fshatin Olimpik.