1 perditesime
21:42

Maliqi: Frika jonë nga Asociacioni, arma më e fortë e Beogradit

Analisti politik Agon Maliqi, ka theksuar se frika e palës kosovare nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe është arma më e fortë e Beogradit.

“Beogradi e ka kuptuar një gjë që frika jonë ndaj Asociacionit është arma e tyre ma e fortë. Fakti që ne jemi ngujuar kaq fortë në këtë temë sikur kjo është diçka që do ta shkatërrojë Kosovën, mendoj se duhet të dalim nga kjo pengesë psikologjike dhe dalim menjëherë me draftin tonë tash në këtë moment”, ka deklaruar Maliqi, në emisionin “Tempus” në KTV.

Fillimisht, Maliqi ka theksuar se duhet kuptuar që Beogradi nuk e do Asociacionin dhe se ai ka bërë gjithçka që të pengojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Kjo është një pengesë dhe një barrë që ia kemi vënë ne vetes, ky kthimi i Asociacioni si një lloj kërcënimi ekzistencial i Kosovës. Duhet kuptuar një gjë, që Serbia në fakt Beogradi nuk e do Asociacionin. Beogradi ka bërë gjithçka ta pengojë zbatimin e marrëveshjes, por edhe nuk ka një interes shumë të madh mbi Asociacionin. Beogradi e synon ndarjen ose do ta bllokojë procesin që të pres një proces më të favorshëm pas 2-3 vjetësh ose të synojë ndarjen dhe ky grupi terrorist që është fut këtu, tash e a ka bërë Serbia a e kanë bërë elementet, grupet ruse brenda Rusisë, cilido variant që të jetë është të krijojë një realitet të ri që çon drejt ndarjes ose drejt një Asociacioni shumë të fortë”, është shprehur Maliqi.

20:56

Maliqi: Rasti i Banjskës fitore momentale që duhet të dimë ta shfrytëzojmë

Analisti politik Agon Maliqi, ka deklaruar se rasti i Banjskës është fitore momentale, të cilën institucionet e Kosovës duhet të dinë ta shfrytëzojnë.

Sipas tij problemi i sigurisë ekziston ende dhe se prapë do të ketë incidente.

“Ndërkohë dialogu është instrumenti i cili na është dhanë neve në dorë për me zgjidh një problem, i cili është integrimi i veriut dhe zhbllokimi ndërkombëtar i Kosovës. Pra, ndoshta e kemi shmang këtë presionin e momentit dhe e kemi një momentum të mirë diplomatik tash të kërkojmë më shumë, por me i ikë dialogut ne mundemi, por problemin e sigurisë e kemi akoma të gjallë, prapë ka me pas incidente të tilla dhe e dyta akoma jemi në një gjendje të bllokimit ndërkombëtar dhe pa perspektivë të integrimit në NATO dhe në BE. Nëse kjo është fitore dhe nëse kjo është entuaziazmi mbi të cilin njerëzit po gëzohen sot, duhet të pyesim se sa është kjo fitore, fitore momentale të cilët duhet të dimë ta shfrytëzojmë”, ka thënë Maliqi në emisionin “Tempus” në KTV.