TEMPUS

Miftaraj: Po shohim frikë të opozitës për t’iu kundërvënë Kurtit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se po shohim një lloj frike të opozitës për t’iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për t’u përcaktuar me një qëndrim në lidhje me krizën në veri të vendit.

Ai shtoi se veprimet e opozitës në këto rrethana, jo që ishin të vobekta, por pothuajse nuk kishte fare reagim.

“Prej ditës kur u dërguan kryetarët në objektet e komunave në veri dhe filluan reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, kishte një heshtje nga i gjithë tabori opozitar, ndërsa shoqëria jonë, e meriton që nga partitë politike kryesore në vend, të njoftohet në lidhje me pasojat e një veprimi apo mosveprimi nga ana e Qeverisë”, tha Miftaraj.

Ai tha se vetëm pas reagimit të sekretarit Anthony Blinken, filluan reagimet zinxhirë, nga krerët e opozitës, që sipas tij ishin reagime shumë të vonshme.

“Gjithçka që kemi parë, kanë qenë disa postime në rrjetin social “Facebook”, dhe pastaj debati në Kuvend, përndryshe kemi parë dalje të rralla të eksponentëve të partive opozitare, për të komunikuar me publikun dhe qeverinë në lidhje me këtë temë”, tha Miftaraj.