TEMPUS

Jakaj për 1 Maj: Muratorët sot janë në vendin e punës, pushtetarët në deti

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, në emisionin “Tempus” në KTV tha se sot për 1 Maj, në Ditën e Punëtorëve, muratorët janë në vendin e punës në Kosovë, kurse pushtetarët gjenden në bregdet.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punës, pastruesit, muratorët janë në vendin e punës, ndërsa deputetët dhe kabineti qeveritar gjendet në deti”, theksoi Jakaj.

Jakaj tha se sot kemi paga të ulëta, orar të stërzgjatur të punës, si dhe pasiguri në vendin e punës, e po ashtu kemi cenim të së drejtës sindikale.

Ai po ashtu shtoi se kjo festë vendin tonë e gjen edhe me qindra mijëra punëtorë pa miratim të pagës minimale, i cili Ligj nuk është duke u trajtuar sipas tij në Kuvend për shkak të disa defekteve.

Jakaj theksoi se edhe ky vit Kosovën e gjen me numrin më të vogël të mundshëm të inspektorëve të punës, po ashtu me numër të pandryshueshëm të aksidenteve në vendin e punës.

Tutje, ai shtoi se nga viti 2018 nuk ka ndryshuar numri i aksidenteve që kanë përfunduar me vdekje në vendin e punës, ku 22 raste të vdekjes kanë ndodhur në vitin 2018, 10 në vitin 2019, 16 në vitin 2020, 9 në vitin 2021, 15 në vitin 2022 dhe 9 deri tash në vitin 2023.

Jakaj ka bërë të ditur se sot me qindra mijëra gra paguhen më pak se sa burrat për pozitat e njëjta, ndërsa sipas Agjencisë për Barazi Gjinore, paga mesatare neto e grave është 312 euro, ndërsa e burrave është 346 euro, diferencë kjo prej 34 eurove. Ndërkaq, një mjeshtër në ndërtimtari nuk e kalon pagën prej 371 euro neto.