TEMPUS

Miftaraj: E pashpjegueshme, Prokuroria përmendi sulmet ndaj stacioneve policore

Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV tha se është e pashpjegueshme se si Prokuroria në seancën e sotme ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasnqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmendi sulmet ndaj stacioneve policore.

“Prokuroria gjatë elaborimit të sotëm, mund të them me sytë e juristit kishte kontradikta shumë të mëdha. Aktakuza kundër Thacit dhe të tjerëve lidhet me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit por që në elaborimin e saj pamë që Prokuroria përmendte sulme ndaj stacioneve policore. Stacionet policore janë të përbëra me policë dhe e dimë që palë ndërluftuese në luftën mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës me policinë serbe, me ushtrinë serbe, kështu nuk mund të merren në këtë rast sulmet ndaj stacioneve policore”, tha Miftaraj.

Sipas tij, me luftë inkriminuese penale kemi të bëjmë atëherë kur i sulmojmë civilët e pambrojtur dhe se UÇK-ja nuk mund të gjykohet për luftën që ka bërë me forcat e armatosura sepse lufta bëhet në mes të forcave të armatosura.

“Kjo është një kontradiktë dhe një mundësi kundër vetvetes nga ana e Prokurorisë, sepse nuk mund të gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën që ka bërë me forcat e armatosura”, tha ai.

Miftaraj theksoi se Prokuroria duhet të ketë një aktakuzë të bazuar në dëshmi.

“Prokuroria, në mënyrë që të ketë respekt për viktimat, duhet të ketë një aktakuzë solide, të bazuar në dëshmi dhe argumente që ajo të jetë e suksesshme, e jo të bëj një shou, përmes elaborimit të sotëm e pastaj pas përfundimit të mos jetë e suksesshme, tha Miftaraj.