TEMPUS

Fatahu: Nëse Avokati i Popullit s’e dërgon Ligjin e Pagave në Kushtetuese, PDK-ja e ka vullnetin ta bëjë

Avokati i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Fetahu, në emisionin “Tempus” në KTV tha se në rast se Avokati i Popullit nuk e dërgon Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese, PDK e ka vullnetin ta bëjë këtë.

Sipas tij, Ligji i Pagave ka defekte serioze në pikëpamje kushtetuese, në pikëpamje të procedurës së miratimit të tij dhe në pikëpamje të përmbajtjes.

Fetahu tha se defektet e këtij Ligji janë edhe në çështjen e koeficientit të pagave, por edhe në faktin e trajtimit të pabarabartë, element ky i cili e karakterizon Ligjin në tërësi dhe nuk lidhet fare me çështjen e vendosjes së koeficienteve dhe shumës së tyre.

“Po ashtu edhe shkeljet sa i përket sistemit të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë, po ashtu shkeljet që lidhen edhe në fushën e mjekësisë, profesionistëve shëndetësorë, fizioterapeutëve, shkelje që lidhen edhe me auditorët, shkeljet që lidhen me shumë organizata dhe sindikata” theksoi Fetahu.

Ai deklaroi se sipas garancioneve kushtetuese dhe praktikës së Venecias për sa i përket çështjes së rregullimit të pagave, një zbritje e tillë e pagave nuk ka mundur të ndodhë përveç nëse ka kushte të një krize ekonomike.

Fetahu beson se ky ligj ka defekte serioze dhe e ka vendin në Gjykatën Kushtetuese dhe beson se ky ligj pjesërisht do të rrëzohet nga e njëjta.

“Avokati i Popullit është i obliguar që ta përfundojë detyrën e tij dha ta dërgojë këtë çështje në kushtetuese siç ka vepruar rreth 3 apo 4 vite më parë”, shtoi Fetahu.

Avokati theksoi se ky proces ka kohë 6 muaj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, qoftë nga avokati i Popullit, Presidenti apo 30 deputetë.

“Jam i bindur që Avokati i Popullit e ka për detyrë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, nëse jo mund ta konfirmoj që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vullnet të plotë që pjesërisht për kategoritë që kanë qenë subjekt i diskriminimit ta dërgojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht kjo nuk varet vetëm nga Grupi Parlamentar i PDK-së por duhen 30 nënshkrime për ta referuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Fetahu.