TEMPUS

Musliu-Shoshi: Kurti entuziast për Asociacionin, prapë i iku përgjegjësisë

Descriptive Text

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi, e cila është edhe anëtare në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është entuziast për Asociacionin dhe po i ikë përgjegjësisë.

“E dimë që në të gjitha takimet që ka mbajtur zotëri Kurti, tjera qëndrime ka mbajtur brenda në tavolinë dhe tjera qëndrime i ka mbajt për media ndërkombëtare dhe krejt tjera qëndrime i ka mbajt për mediat vendore. Pra, është ikje prej përgjegjësisë krejt kjo çfarë e diskutoi”, ka theksuar Musliu-Shoshi në emisionin “Tempus” në KTV.

Ajo ka deklaruar se Kurti është entuziast për nënshkrimin e formimit të Asociacionit.

“Ajo çka më bëri përshtypje është që është jashtëzakonisht entuziast që ta nënshkruajë formimin e Asociasionit, nga një kryeministër i cili kauzë kryesore që të vijë në pushtet e ka pas kundërshtimin e asociacionit”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.


Musliu-Shoshi: Kurti e ka degraduar Asociacionin

Ajo ka deklaruar se kryeministri Kurti, e ka degraduar Asociacionin.

“Ne shohim sot një Albin, i cili të gjitha këto marrëveshje që janë arritur me shumë mund dhe sakrificë, që nga viti 2010 e tutje i ka sharë, përfshirë edhe marrëveshjen e vitit 2013, e cila është e vetmja marrëveshja e ratifikuar në Kuvend, dhe njihet si marrëveshje ndërkombëtare. E dimë që ka pasur shumë protesta, sulme ndaj institucioneve, është hedhur gaz lotsjellës, ka persona që kanë mbetur pa gjymtyrë në këto protesta. Pra, ka ndërtuar një kauzë të rrejshme, sepse ky Asociacion të cilin e ka pranuar sot, është me ngritje të nivelit të vetëqeverisjes”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Ajo ka shtuar se nga shkëmbimi si kundërvlerë e Asociacionit që ishte menduar në vitin 2013, për njohje reciproke ligjërisht të obligueshme në mes të dyja palëve, tani kemi një degradim ku flitet vetëm për Asociacionin të cilin Republika e Kosovës detyrohet ta zbatojë.

Ndërsa, ka theksuar se në anën tjetër Serbia vazhdon ta ketë Kosovën pjesë të Kushtetutës së saj, duke shtuar se ky është një problem që do të vazhdojë të rritet.

Musliu-Shoshi ka deklaruar se si deputete e Kuvendit dhe si anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme që nga tetori i vitit të kaluar i ka parashtruar pyetje parlamentare kryeministrit Kurti, duke e thirrur në llogari, ndërsa shtoi se thirrjet për raportim në Kuvend kanë qenë gjithmonë nga opozita dhe asnjëherë raportimi nuk është bërë me vetiniciativë nga kryeministri Kurti.

Në lidhje takimin e sotëm, Musliu-Shoshi ka deklaruar se është dialoguar për tema të cilat realisht kanë qenë të mbyllura për Republikën e Kosovës, duke shtuar se kryeministri Kurti ka degraduar në karrierën e tij politike, në lidhje me qëndrimet e tij ndaj marrëveshjeve të mëhershme.

“Zotëri Kurti u ka borxh qytetarëve dhe qeverive të mëhershme një kërkimfalje të madhe, sepse të gjitha marrëveshjet e deritanishme kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë dhe me udhëzimet e tyre”, ka shtuar Musliu-Shoshi.

Musliu-Shoshi ka thënë se ka kërkuar më shumë transparencë nga kryeministri Kurti, duke kërkuar që i njëjti të raportojë në Komisionin për Punë të Jashtme, duke shtuar se kanë hasur në neglizhim nga i njëjti, i cili ka qenë i mbyllur sa i përket procesit në tërësi, e në veçanti për planin franko-gjerman.