TEMPUS

Gashi: Integrimi i serbëve lokalë i vështirë, Lista Serbe instrument i Beogradit

Gazetari i grupit “KOHA”, Fitim Gashi, ka thënë se integrimi i serbëve lokalë është i vështirë dhe se Lista Serbe është instrument i Beogradit.

“Ndikimi i Serbisë në pjesën veriore veçse është shumë i madh edhe në njëfarë forme serbët ose mos të themi kështu serbët mos t’iu referohemi qytetarëve, por Lista Serbe e cila ka pushtet efektiv në këto komuna, pra qoftë në mënyrë legale, qoftë në mënyrë ilegale, tashmë është shndërruar në instrument të Beogradit, për çfarëdo që ndodh në veri atëherë pa u pyetur Lista Serbe nuk mund të ketë ndryshim të situatës”, ka theksuar Gashi në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka deklaruar se ka parti që nuk guxojnë ta sfidojnë Listën Serbe, e që sipas tij, fillimisht duhet të ndryshohet ky realiteti politik.

“Para se të synohet ose të pretendohet që të integrohen këta serbët, e kemi parë se fundja integrimi i serbëve nuk mund të ndodh me një vendim të Qeverisë ose me një vullnet të mirë të Kryeministrit kushdo qoftë ai, për shkak se ka pasur përpjekje të tilla edhe në të kaluarën por që nuk kanë funksionuar për shkak se dihet se ndikimi i Serbisë në pjesën veriore veçse është shumë i madh”, ka shtuar Gashi.