TEMPUS

Dugolli për masakrën e Dubravës: U intervistova, u tregova fakte dhe emra se kush ishin përgjegjës

Enver Dugolli

Enver Dugolli, deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se është intervistuar lidhur me masakrën e Dubravës, të cilës i ka mbijetuar dhe ka treguar fakte dhe emra se kush ishin përgjegjës. Dugolli thotë se pyesnin se “kush ka shti me armë ndaj jush”.

“Isha oficer në FSK, dhe një koleg i imi oficer suedez, ngaqë se e dinte historikun tim një ditë më thotë a je i interesum që të marrë ndonjë prokuror në intervistë dhe të dëshmosh, unë them po, që sa vite e pres këtë, por askush nuk më ka ftuar. Si duket ai ka pas ndonjë mik aty dhe pas disa dite më ftuan në intervistë, diku ka qenë 2015, jo ndoshta ka qenë diku 2013 apo 2014 aty. Mirëpo, po ju them të drejtën kam qenë shumë shumë i zhgënjyer me atë intervistim që më është bë. Për shkak se unë iu tregoja rrugën, unë iu tregoja gjithçka që ka ndodh aty edhe përgjegjësit kryesorë diheshin ishte nga Ministria e Drejtësisë, Judikaturës që është thirr atëherë në Serbi, ministri, zëvendësministri, komandanti i Policisë, komandanti i burgut, komandanti i rojeve, specifikoheshin me emra e mbiemra ata dhe ajo zonja aty thotë jo trego cilët kanë shti me armë ndaj jush, emrat e tyre. O zonjë them, tregova edhe një herë ata kanë qenë të maskuar, gjithë ekzekutorët kanë bartë maska, por unë nuk jam fare i interesum të merrem me ta sepse ata kanë as urdhër dhe krimi kryesor ka ndodh nga udhërdhënësit dhe urdhërdhënësit ishin ata që i përmendim me emra dhe dëshmonim edhe me fakte se si na kanë grumbulluar aty në burgun e Dubravës” , tha Dugolli në “Tempus”.

Ai shtoi se ishin grumbulluar mbi 950 të burgosur aty dhe në fund kryhet ajo intervistë, por mbetet thellësisht i zhgënjyer nga mënyra e intestistimiimt.

“Kam shkruar edhe një libër, e cila është një dëshmi autentike edhe për krimet edhe për Masakrën në Dubravë, por edhe për krimet tjera që kanë ndodhur nëpër burgjet serbe, dhe po besoj që më në fund ndoshta zëri i drejtësisë, zëri viktimave do të dëgjohet dhe do të fillohet diçka nga e para por them seriozisht është periudhë shumë e gjatë kohore dhe pritet kaq shumë, një drejtësi e vonuar”, theksoi Dugolli.