TEMPUS

Asllani: Kemi ndarë 800 mijë euro buxhet për t’i adresuar problemet e komuniteteve pakicë

Descriptive Text

Muharrem Asllani, këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke folur për problemet e infrastrukturës te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, ka thënë se nëse komuna nuk i adreson problemet e këtyre komuniteteve, atëherë secili qytetar të shkojë te zyra e MAPL-së.

Asllani tha se kanë mbi 65 projekte që lidhen me infrastrukturën, ku kanë të bëjnë kryesisht me lagje të banuara nga këto komunitete dhe se për vitin tjetër kanë ndarë 800 mijë euro.

“Për vitin tjetër, i kemi nda edhe 800 mijë euro buxhet për t’i adresuar dhe zgjidhë. Problemi i infrastrukturës nuk është edhe aq shumë shqetësues”, tha ndër të tjera Asllani në "Tempus" të KTV-së.

Ai u shpreh se ndër problemet kryesore, është mospërfshirja e grave dhe vajzave në jetën publike.

“Te komunitetet është problem me e rritë numrin e përqindjes me burra edhe djem ndoshta, por duke mos i përjashtuar gratë edhe vajzat, sepse na kemi ngecje, e thash 25 persona i ke të punësuar nga komuniteti ashkali”, u shpreh ai.

Tutje, Asllani përmendi edhe punët e Qeverisë që ka bërë për këto komunitete, duke thënë se me kërkesë të MAPL dhe Ministrisë së Arsimit, kanë ndarë 100 bursa për studentë që regjistrohen në vitin e parë në gjitha drejtimet në universitete publike. Kanë ndarë 1 milion euro për ujin e pijshëm në Fushë-Kosovë dhe se do të vazhdojnë në projekte të tilla.

Ndër të tjera, Asllani u shpreh se ndër këto komunitete mungon qytetaria aktive, pra një zë kërkues për të drejtat e tyre.

“Është mungesë tek këto tri komunitete një qytetari aktive, nuk po du me thanë rebelim, mirëpo një aktivizëm në aspektin pozitiv, një ringjallje sepse kërkimi apo realizimi i të drejtës duhet të bëhet nga ai person të cilit i shkelet e drejta”, u shpreh ai.