TEMPUS

Qytetarët nga komunitetet thonë se kanë probleme të shumta

Blerim Jakupi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se të gjeturat e IKD-së tregojnë se komunitetet pakicë përballen me mungesë të kushteve themelore për jetesë.

“Të gjeturat e IKD-së gjatë projekteve të ndryshme kërkimore dhe monitoruese si dhe raporteve të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, tregojnë se këto komunitete ende përballen me mungesë të kushteve themelore për jetesë dhe për nivel të ulët të pjesëmarrjes në vendimmarrje publike”, ka thënë Jakupi.

Ndërsa, Naser Emini, përfaqësues i komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, për emisionin “Tempus” ka thënë se ka nevojë të investohet në banimin e komuniteteve pakicë, pasi që një kryefamiljar duhet ta largojë edhe djalin nëse i njëjti ka krijuar familje që të plotësohet kushti ligjor për fitimin e asistencës sociale.

“Komuniteti ka shumë shumë nevojë të investohet sidomos në banimin e qëndrueshëm sepse është edhe një thirrje për mbështetje sociale, një kryefamiljar duhet ta ndajë djalin për shembull nëse edhe ai ka kriju familje për ta plotësu kushtin ligjor për me fitu një asistencë sociale, pasta ai detyrohet ose të marrë shtëpi me qira ose ta ndërtojë një shupë pastaj të thotë “s’kam shtëpi kam shupë”, edhe ky është problem që ligji e dëmton edhe një familje për ndarje”, tha ai.

Sa i përket ndihmave sociale, Ramiz Kryeziu, përfaqësues i këtij komunitetit thotë se tek të njëjtat po shfaqen edhe probleme, pasi që një fëmijë pasi të arrijë moshën pesëvjeçare humb të drejtën e ndihmës sociale.

“Problemet kryesore që ballafaqohet komuniteti rom, është pasi që një numër i madh i komunitetit ashkali, egjiptas edhe rom janë tu i marrë këto ndihma ndihmat sociale, te ndihmat sociale po kemi problematika fëmija nëse i ka pesë vite, më tepër se pesë vite e hup të drejtën, ne sugjerojmë kuvendarët e tonë atje që ta bëjnë këtë ndryshimin e këtij ligjit që fëmija edhe në qoftë se i mbush më tepër se pesë vjeç të ketë të drejtën e ndihmës sociale”, tha ai.

Lidhur me banimin, i njëjti shtoi se kushtet e jetesës për komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian janë të rënda.

“Kushtet e jetesës në komunitetin tonë është goxha e prekshme me ta thanë të drejtën, ndoshta në nivel të Evropës me siguri ndoshta edhe më gjerë kemi familje që janë 10 anëtarë, a i kanë qaty ka nja 15 metra katror, kjo është jashtë rregullave të banimit”, ka thënë Kryeziu. /BetimipërDrejtësi