TEMPUS

Rezniqi: Mosregjistrimi në regjistra civilë, ndër problemet kryesore të komuniteteve pakicë

Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ndër problemet kryesore me të cilat përballet komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, është mosregjistrimi në regjistra civilë.

Rezniqi tha se gjatë takimit me pjesëtarë të këtij komuniteti, kanë hasur në problematikat që janë prezantuar në forma të ndryshme, ku kanë evidentuar se shumë pak kanë informacion për mundësinë për të qenë pjesëmarrës në konsultime publike.

“Ka pasur problematika të ndryshme që janë ngritur varësisht prej rajoneve që kemi vizituar. Kemi pa që një prej problemeve kryesore është problemi me mosregjistrimin në regjistrat civilë. Realisht është një problem që e kemi hasur në pothuajse të gjitha rajonet që i kemi vizitu, diku ndoshta me një masë më të madhe e diku më të vogël, por është problematikë e vazhdueshme që pastaj shkon zinxhir”, tha Rezniqi në “Tempus” të KTV-së.

Ajo tha se këto raste pastaj i kanë evidentuar përmes takimeve që i kanë mbajtur si IKD me këtë komunitet, si dhe i kanë marrë t’i trajtojnë si raste në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas dhe t’i ndihmojnë në procesin e regjistrimit në regjistrat civilë.

“Realisht, është e vështirë në disa raste, veçanërisht kur kemi të bëjmë me regjistra civilë, kur janë e gjithë hallka e personave, domethënë të rrjedhës familjare të paregjistruar në regjistra civilë”, shtoi Rezniqi.