TEMPUS

Drejtori i APK-së: Policia, kampion në zbatimin e ligjit për sinjalizim

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka thënë se Policia e Kosovës është kampion në zbatimin e ligjit për sinjalizim.

I ftuar të martën në emisionin “Tempus” në KTV, Buleshkaj ka deklaruar se Policia e Kosovës ka punuar shumë më shumë te puna e sinjalizimit, ka zhvilluar trajnim në të gjitha rajonet e Kosovës dhe se ka pasur prezencë të zyrtarëve të APK-së.

“Ka pasur punë shumë të mirë te Policia e Kosovës ku zyrtarët tanë kanë marrë pjesë. Në qoftë se kishim pasur një institucion që është kampion për zbatimin e mandatit të Agjencisë të detyrave të tyre dhe ngritjen e vetëdijes të punonjësve të tyre, po besoj që ky kampion do të ishte Policia e Kosovës, sepse ka punuar më së shumti në zbatimin e këtyre obligimeve ligjore”, tha Buleshkaj.

Ai shtoi se kanë marrë zotime nga donatorët, për përkrahje në projektet e tyre në ngritje të vetëdijesimit.

“Përderisa ne si agjenci nuk është që kemi arritur shumë të bëjmë, ka qenë një mendësi pra e deritanishme në agjenci e cila ka ndryshuar tash, që nuk është punë vetëm e OJQ-ve apo projekteve ndërkombëtare që ta bëjnë vetëdijesimin edhe të zyrtarëve dhe të publikut për këtë mekanizëm. Tashmë kemi marrë zotime nga donatorët që po na përkrahin në projektet tona për ngritje të vetëdijesimit, po besojmë që nga fundi i këtij viti dhe fillimi i këtij vitit të ardhshëm do jemi pak më të zëshëm në ngritje të kapaciteteve po edhe vetëdijes dhe njohurive të publikut të gjerë”, ka thënë drejtori i APK-së.