TEMPUS

Buleshkaj: Ka pasur raportime për takime mes gjyqtarëve me prokurorë e avokatë

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka thënë se ka pasur raportime për takime mes gjyqtarëve me prokurorë e avokatë.

“Te gjyqësori kemi probleme, sinjalizimi është si të themi më i zbehtë, nuk është që kemi raste shumë të gjyqësorit, përveç rasteve ta zëmë në x-y komunë takohet gjyqtari, prokurori dhe avokati i rastit dhe bisedojnë për rastin, që është e ndaluar me ligj sepse nuk mund të dalin në kafe”, tha Buleshkaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Buleshkaj shtoi se rastet e tilla i kanë proceduar tek institucionet përgjegjëse.

“Ka pas raste të tilla dhe i kemi proceduar tek institucionet që janë përgjegjëse, sepse ajo që ka qenë telashe ne kryesisht i kemi udhëzuar personat e tillë që të kenë dëshmi shtesë, sepse të mos mund të thonë vetëm se janë takuar në x-y kafe në qoftë se nuk ka ndonjë dëshmi, është shumë e vështirë pastaj të verifikohet” ka thënë tutje Buleshkaj.

Sipas tij, e rëndësishme është që të parandalohet konflikti i interesit në institucione.

“Për sa i përket ekzekutivit qoftë në nivel lokal apo qendror që ka plotë raste që duke ndodhur na raportojnë, sidomos tek konflikti i interesit e pastaj posa institucioni i parë e pranon telefonatën ato korrektohen, kështu që e shohim që është një rezultat i mirë, një respekt për Agjencinë nga institucionet tjera”, ka shtuar ai.