TEMPUS

Vitija: Udhëheqja e MSH-së me ushtrues detyre tregon seriozitetin e Qeverisë

Gazetari Bujar Vitija ka deklaruar se udhëheqja e Ministrisë së Shëndetësisë me ushtrues detyre, e tregon seriozitetin e qeverisë aktuale në vend.

“Përveç se nuk e kemi një ministër aktualisht, u bë gati një muaj e gjysmë ku shëndetësia po udhëhiqet prej një ushtruesi të detyrës dhe ne në fakt e dimë se sa është vështirë për një ushtrues detyre të udhëheq një sektor ose një dikaster të caktuar, sepse nevojitet së pari të ketë një mandat të plotë dhe po ashtu nevojitet të ketë edhe fuqi politike që t’i shtyjë gjërat përpara”, ka thënë Vitija të martën në “Tempus” të KTV-së.

Ai shtoi se është e ditur që një ministri varet nga shumë procese dhe nga ndikimi ose presioni politik që mund t’i shtyjë avancimin e proceseve ose projekteve të ndryshme.

Sipas tij, menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë e vështirëson fakti se udhëheqësja e detyrës funksionon pa një kabinet të kompletuar.

“Po ashtu, Ministria është edhe pa kabinet, do të thotë ushtruesja e detyrës funksionon pa një kabinet të kompletuar dhe kjo e vështirëson edhe më shumë menaxhimin e këtij sektori nga znj. Dafina Gexha-Bunjaku”, tha Vitija.