TEMPUS

Zekaj: Prokurori mund ta çojë në ndërmjetësim një rast, para dërgimit në gjykatë

Avokati Yll Zekaj ka thënë se një prokuror mund ta çojë një rast në ndërmjetësim, para se ta dërgojë në gjykatë.

“Absolutisht, i kemi 18 vepra penale që i parasheh Kodi Penal, për të cilat parashihet dënimi me burgim deri në tri vjet, të cilat mund të shkojnë në ndërmjetësim. Nuk është e drejtë e qytetarit, nuk është e drejtë e personit të cilit i është bërë një kallëzim penal. Mbetet në diskrecionin e prokurorit që rastin ta dërgojë në ndërmjetësim, por pastaj varet edhe vullneti i personit ndaj të cilit ka kallëzim penal dhe vullneti i të dëmtuarit. Prokurori duhet paraprakisht të shikojë nëse lënda është e përshtatshme, duke pasur parasysh personalitetin e kryerësit, nëse i njëjti ka qenë recidivist, e tjera, dhe të konstatojë që një vepër mund të përfundojë në ndërmjetësim”, ka thënë Zekaj në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, me një efikasitet më të madh, ky numër mund të rritet ngase nuk ka arsye që të mos provohet ndërmjetësimi, kur e lejon ligji.

“Nuk ka nevojë që hipotetikisht po them një vepër penale e kanosjes apo e lëndimit të lehtë trupor, që e parasheh ligji, që mund të dërgohet në ndërmjetësim, të bëhet aktakuzë, të dërgohet në gjykatë, pastaj prokurori në gjykatë të thotë se mund të dërgohet në ndërmjetësim. Pse? Sepse ti ke shpenzuar resurse të prokurorisë, ke shpenzuar resurse që prokurori ka mundur të merret me hetimin e një vepre më serioze, kështu që mos të humbë kohë dhe energji në vepra të cilat edhe ligji e përcakton që mund të dërgohen në ndërmjetësim”, u shpreh Zekaj.