TEMPUS

Zekaj: Asnjë një cent për ndërmjetësimin, MD-ja s’ka bërë mjaftueshëm për promovim

Avokati Yll Zekaj ka thënë se Ministria e Drejtësisë, nuk ka bërë mjaftueshëm për promovimin e ndërmjetësimit dhe nuk ka dhënë asnjë cent për këtë procedurë.

“Nëse i referohemi Strategjisë për Sundimin e Ligjit që është një ndër dokumentet më të rëndësishme të kësaj Qeverie, një kapitull i veçantë ekziston për qasje në drejtësi, e në kuadër të qasjes në drejtësi e kemi promovimin e profesioneve të lira. Në vitin 2021 dhe vitin 2022 kemi pasur rreth 260 mijë euro të zotuara për këto profesione të lira që unë nuk e di që një cent ka shkuar për ndërmjetësimin që lë shumë për të dëshiruar”, tha Zekaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë për atë që ka bërë në të kaluarën dhe edhe tani nuk është e mjaftueshme për profesionin e ndërmjetësimit.

Ai tha se Oda e Ndërmjetësuesve funksionon në kushte shumë të vështira.

“Sot Oda e Ndërmjetësuesve funksionon në kontejnerë të improvizuar si zyre që ka funksionuar Këshilli Gjyqësor para 10-15 viteve, në kushte shumë të vështira që nuk është dinjitoze për një profesion siç është profesioni i ndërmjetësimit i cili lehtëson shumë punën e gjykatave”, tha Zekaj.

Ai kërkoi nga Qeveria që ta marrë me seriozitet punën e ndërmjetësimit me arsyetimin se për ndërmjetësimin ka pasur gjetje dhe në raportin e progresit viteve të kaluara që nuk është bërë sa duhet në avancimin e procedurës së ndërmjetësimit.