TEMPUS

Johnson: Rusia nuk dëshiron të shohë demokraci të konsoliduar në Ballkanin Perëndimor

Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, në një intervistë ekskluzive në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Rusia ka ndikuar negativisht me ndërhyrjet në rajonin e Ballkanit dhe theksoi se ky shtet nuk dëshiron të shohë demokraci të konsoliduar në Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën.

“Edo, dua të them që për shumë vite, Rusia ka ndërhyrë, ka… ka ndikuar negativisht, zhvillimet në këtë rajon dhe gjithashtu në shumë të tjera. E kam fjalën për dezinformimin, narrativën e rreme, nxitjen e frikës së gjatë të njerëzve, përpjekjen për të ndarë njerëzit. Pra, ne bëjmë të kundërtën, vazhdojmë të ndjekim qëllimet tona. Ajo që Rusia nuk dëshiron të shohë, është demokracia e konsoliduar, në Evropë, në Ballkanin Perëndimor. Ata nuk duan të na shohin të bashkuar, ata nuk duan ta shohin Kosovën dhe vendet fqinje të integrohen plotësisht në institucionet evropiane në Evropë”, tha Johnson.

Sipas Johnson, ajo që mund ta bëjë Kosova dhe të gjitha shtetet fqinje, është të vazhdojnë t’i ndjekin ëndrrat, reformat demokratike dhe fuqizimin e institucioneve.

“Pra, sigurisht që ne nuk do t’i lëmë ata të fitojnë, ne do të fitojmë dhe unë mendoj se ajo që mund të bëjë Kosova, ajo që mund të bëjnë të gjitha shtetet fqinje është të vazhdojnë të ndjekin ato ëndrra, ato reforma demokratike, fuqizimin e institucioneve, marrëdhënie më të mira me fqinjët. Dua të them, ne e kemi parë Ukrainën në rrethana të tmerrshme, e detyruar të mbrojë sovranitetin e saj, integritetin e saj territorial dhe liritë dhe aspiratat e saj demokratike dhe çdo vend duhet të bëjë të njëjtën gjë. Demokracia nuk është e lirë, ajo duhet të mbrohet dhe të mbrohet vazhdimisht, kështu që ne jemi këtu për të mbështetur Kosovën, fqinjët e saj dhe të gjitha vendet në Evropë, në këtë përpjekje”, tha ajo.