TEMPUS

Johnson: Kosova duhet të ketë sistem gjyqësor të pavarur e të lirë nga politika

Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ka thënë për emisionin “Tempus” në KTV, se Kosova duhet të ketë një sistem gjyqësor të pavarur, të lirë nga ndikimi politik dhe llogaridhënës para publikut.

Ajo ka shtuar se sistemi prokurorial i Kosovës duhet të bashkëpunojë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë në luftimin e krimit të organizuar në mënyrë që të mund të integrohet në institucionet euro-atlantike.

“Ne të gjithë besojmë se Kosova duhet të jetë një vend ku të gjithë qytetarët e saj trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt brenda ligjit, ku drejtësia ofrohet për të gjithë, që nënkupton një sistem gjyqësor i pavarur, i lirë nga ndikimi politik dhe llogaridhënës para publikut. Po ashtu, një polici dhe agjenci që zbatojnë ligjin, sistem prokurorial që është partner për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë në luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare dhe një shoqëri e barabartë që mund të integrohet në institucionet euro-atlantike”, ka thënë ajo.

Johnson theksoi se ka takuar shumë njerëz që po punojnë për t’i arritur këto ideale dhe se puna e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ta mbështesin Kosovën në këto përpjekje.

“Ky është qëllimi, dhe unë kam takuar shumë njerëz që janë duke punuar për të arritur këto ideale, dhe janë me të vërtetë të përkushtuar për arritjen e këtyre synimeve dhe puna jonë është t’iu mbështesim ju në këto përpjekje”, ka shtuar ajo.


Johnson për Strategjinë e Sundimit të Ligjit: Kemi ndjenjën se është duke shkuar mirë

Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, derisa ka folur për Strategjinë e Sundimit të Ligjit 2021-2025 në Kosovë, ka thënë se mendon që është duke shkuar mirë.

Në “Tempus” të KTV-së, Johnson tha se SHBA-ja e ka mirëpritur miratimin e kësaj strategjie dhe se është investuar pune e madhe në të, si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Unë kam biseduar me shumë njerëz në të vërtetë, lidhur me Strategjinë, ne e kemi mirëpritur shumë miratimin, shumë punë e madhe është investuar në të, nga ana e qeverisë, shoqërisë civile, dhe përpjekjeve nga partnerët ndërkombëtarë. Është strategji e Kosovës, Kosova është pronare e kësaj strategjie, po ashtu edhe në Samitin për Demokraci, ku presidenti Biden e ndau gjatë muajit dhjetor, Qeveria e Kosovës gjatë këtij Samiti ka ofruar përkushtimin që ta zbatojë këtë strategji, andaj edhe unë gjatë takimeve që kam pasur këtë javë kam biseduar lidhur me këtë, kam biseduar me ministren e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Brendshme. Të dy ndanë me mua faktin se janë duke punuar së bashku për të zbatuar këtë strategji, për të përmbushur ato parime në praktikë dhe për t’i bërë realitet. Ministria e Drejtësisë ka themeluar një Task Forcë që bën vlerësimin e zbatimit të saj në praktikë dhe Ambasada Amerikane është këtu që t’iu mbështesim në këto përpjekje. Andaj, ne e kemi ndjenjën se është duke shkuar mirë”, u shpreh Johnson.

 


Johnson: Korrupsioni kërcënon sigurinë nacionale, zhvillimin ekonomik dhe cenon besimin e qytetarëve në Qeveri

Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ka thënë se korrupsioni kërcënon sigurinë nacionale, zhvillimin ekonomik dhe cenon besimin e qytetarëve në Qeveri.

Në një intervistë në “Tempus” të KTV-së, Johnson ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e qeverisjes së mirë, por edhe e vetëmbrojtjes.

“Presidenti Biden po punon jashtëzakonisht shumë për të avancuar këtë si një interes kryesor për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur flasim për këtë, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e qeverisjes së mirë, është në të vërtetë edhe çështje e vetëmbrojtjes, duke ruajtur dhe mirëmbajtur demokracinë, duke promovuar barazinë ekonomike, shumë çështje që shkojnë në këtë drejtim”, tha Johnson.

Ajo shtoi se edhe vetë SHBA-ja kanë probleme me korrupsionin, por se të gjithë duhet të jenë llogaridhënës dhe t’i kryejnë detyrat me integritet, ngase kjo qasje parandalon korrupsionin.

“Kjo pasi ne vlerësojmë se korrupsioni kërcënon sigurinë nacionale, kërcënon zhvillimin ekonomik, cenon besimin e qytetarëve në qeveri, andaj ne këtë duhet ta marrim shumë seriozisht. Prandaj, unë kam biseduar për këtë pothuajse me secilin që e kam takuar në Kosovë lidhur me këtë, dhe këtu nuk flasim vetëm për korrupsionin e nivelit të lartë, ku përfshihen qeveritarët apo politikanët, por edhe korrupsionin e imtë, ku përfshin çdo fshat, çdo komunitet dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe vetë SHBA kanë probleme me korrupsionin po ashtu, por nëpër shoqëri korrupsioni nuk duhet të shikohet si mundësi ku lidhjet familjare kanë shumë rëndësi se sa meritokracia apo puna e palodhshme. Të gjithë duhet të jenë llogaridhënës dhe të kryejnë detyrat me integritet dhe kjo qasje e parandalon korrupsionin dhe dërgon përpara idealin për të cilin të gjithë ju po luftoni”, u shpreh Johnson.

Andaj, ajo theksoi se Kosova ka mbështetjen e SHBA-së në këto përpjekje dhe se ka takuar shumë njerëz të vendosur për të bërë Kosovën një vend më të mirë dhe më të drejtë.