TEMPUS

Auditori i pasigurt nëse do të auditohet Fondi për trajtimin e pacientëve jashtë vendit

Zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, lidhur hulumtimin e Grupit KOHA, për keqmenaxhimin në Fondin për trajtimin e pacientëve jashtë vendit, ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse do të auditohet ky Fond për këtë, por ka shtuar se e kanë përcjellë trajtimin që i është bërë në medie kësaj çështje.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka bërë auditimin e pasqyrave financiare. Të auditosh pasqyrat financiare nuk nënkupton që të auditosh çdo vendim, çdo proces të caktuar. Procesi shkon apo thjesht auditimi bëhet përmes mostrimit, ne kemi identifikuar disa mangësi të cilat janë prezantuar në raport”, ka thënë ai në “Tempus” të KTV-së të martën.

Sipas tij, ZKA-ja në vazhdimësi e ka trajtuar çështjen e aspekteve shëndetësore, ka bërë auditime të performancës, të cilat i përmendi dhe theksoi edhe kërkesën për ndryshimin e ligjit që Zyrës Kombëtare t’i jepet më shumë hapësirë që të fokusohet në këso çështje.

I pyetur se a do të ketë diçka më konkrete sa i përket auditimit për Fondin, ai ka thënë se nuk është i sigurt.

“Nuk jam i sigurt. Kur e bëjmë planin… ne kur e bëjmë planin vjetor të auditimit, ne përcaktojmë, identifikojmë tema”, ka thënë Halilaj. “Përzgjedhjen e temave e bëjmë gjithmonë duke vlerësuar se cila temë është ma e rëndësishme. Gjithsesi edhe kjo është temë shumë e rëndësishme dhe konsideroj që do të merret parasysh, do të analizohet dhe do të merret një vendim”.

KOHA për më shumë së dy javë ka publikuar hulumtimin në lidhje me Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore. Hulumtimi ka argumentuar që procesi i dërgimit për trajtim jashtë QKUK ka probleme qysh në hallkën e parë që janë spitalet publike. E Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka asnjë kontroll mbi këtë program. Kjo ka bërë që shumë herë spitaleve private t’u paguhen faturat me çmime abuzive.