TEMPUS

Manaj për Byronë: MD-ja këtë projektligj duhet ta kthejë në pikën zero

Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në emisionin “Tempus” ka thënë se Ministria e Drejtësisë, projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duhet ta kthejë në pikën zero, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

“Ne e kemi mbështetur themelimin e kësaj zyre në Kuvend të Kosovës dhe nëse e shihni, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në Kuvend ka theksuar - ‘hajde ta themelojmë dhe unë dhe gjithë grupi im parlamentar kërkojmë që të jemi të parët që të na bëhet verifikimi i pasurisë’. E ka thënë publikisht në foltore të Kuvendit të Kosovës. Nëse e shohim rekomandimin, ne i kemi pasur rezervat tona, kemi thënë edhe në Kuvend se mënyra si është krijuar mekanizmi mund t’i shkelë të drejtat e njeriut dhe mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Dhe këto shqetësime që ne i kemi shpreh në Kuvendin e Kosovës, të njëjtat i ka thënë edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tyre. Nëse e analizojmë opinionin e tyre, ata vetëm e kanë mbështetur se duhet të bëhet konfiskimi civil”, tha Manaj në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, për të tjerat çështje, si mënyra si është themeluar ky mekanizëm dhe si është menduar të funksionojë ky mekanizëm, i shkel të drejtat e njeriut dhe mund të jetë kundërkushtetues.

“Madje, kanë thënë që në emër të luftës kundër korrupsionit mendohet se mund të arrihet korrupsioni. Prandaj, mendoj që ministrja e Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, këtë projektligj do të duhej ndoshta ta kthente në pikën zero dhe ta rimendojë e ta përgatitë në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, shtoi ai.