Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në opinionin e Komisionit të Venecias “ka skepticizëm për vetting të thellë në sistemin e drejtësisë në Kosovë”. Deklarata e saj është ndryshe prej asaj të shtunës, kur duke komentuar të njëjtat opinione, ishte shprehur se “do të ketë vetting të plotë dhe siç duhet”.
Në “Tempus” të KTV-së të martën, Haxhiu ka pranuar se Komisioni nuk ka dhënë rekomandim për vetting të thellë siç ishte synimi i Qeverisë së Kosovës.
“Opinioni i Venecias për vettingun në radhë të parë, e çel rrugën Ministrisë së Drejtësisë për t’ia nisur reformën. Ne e kemi lexuar me vëmendje opinionin e vettingut dhe kemi pasur takime edhe me raportuesit në Venecia. Duket që ka megjithatë një lloj skepticizmi për një vetting të thellë, siç e ka bërë Shqipëria apo disa vende të tjera, për faktin se ka pas pasojat e veta në kuptim të mbetjes së institucioneve të rëndësishme pa staf ose 60%, siç ka ndodhur në Shqipëri, e personelit ka mbetur jashtë vettingut. Janë disa rrethana që kanë ndodhë në vendet që kanë pas vettingut. Pastaj, konsideroj që për shkak të atyre rrethanave, Kosovës i kanë rekomanduar që ta fokusojë vettingun nga mekanizmi i jashtëm që kemi paraparë me amandamentet kushtetuese, pra opsioni kushtetues, tek nivelet e larta”, ka thënë Haxhiu.
Teksa tash ka pranuar se Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim për vetting të pjesshëm, ditë më parë ministrja Haxhiu përsëriti disa herë në konferencën e jashtëzakonshme me kryeministrin Albin Kurti se “do të ketë vetting të plotë e siç duhet”.
“Nëse shihni deklarimet e mia publike, e kemi theksuar në vazhdimësi nevojën që verifikimi i integritetit profesional, moral dhe i pasurisë të bëhet nga nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë. Kjo është një arritje e madhe për drejtësinë dhe shumë e rëndësishme për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra vetting do të ketë së pari duke filluar nga krerët e sistemit të drejtësisë e më pas do të garantohet kontrolli permanent i integritetit për të gjithë sistemin. Pra trupat që do të verifikohen nga një trupë profesionale e pavarur do ta marrin mandatin për verifikimin e integritetit të secilit prokuror e gjyqtar në Republikën e Kosovës”, pati thënë ajo në konferencën për media, të mbajtur në mesditën e së shtunës.
-
21 qershor 2022 22:43
-
Shpërndaje në: