TEMPUS

Gruda: Qeveria veproi njëanshëm në drejtësi duke lënë shijen e hakmarrjes politike

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Qeverinë në Hije të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se për 1 vit e gjysmë, Qeveria e Kosovë ka bërë veprime të njëanshme në drejtësi, të cilat kanë lënë shijen e hakmarrjes politike.

“Ky është një koncept përmes të cilit ne synojmë të ndërrojmë mënyrën e opozitëbërjes, të kalojmë nga niveli që kemi parë, të kritikës së vazhdueshme dhe kundërshtimit të çdo gjëje që bën opozita, në një nivel ku ne ofrojmë alternativa konkrete dhe profesionale për fusha të caktuara. Unë mendoj që për këtë 1 vit e gjysmë, Qeveria e Kosovës në drejtësi ka bërë veprime të cilat kanë qenë të njëanshme, që kanë lënë shijen e hakmarrjes politike dhe po ashtu kanë çuar sinjale të qarta që Qeveria dëshiron t’i kapë trupat dhe organet e pavarura të drejtësisë në emër të një reforme”, tha Gruda në emisionin “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, një proces pozitiv në këtë një vit e gjysmë qeverisje nga Qeveria aktuale është shtyrja përpara e procesit të Gjykatës Komerciale.

“Ajo që mund të them që ka ndodhur pozitive në gjithë këtë një vit e gjysmë, është projekti i Gjykatës Komerciale, që është shtyrë tutje, por duhet ta them këtu që ai është një projekt që e ka nisur Partia Demokratike e Kosovës, për të cilin besoj do të kemi rast këtu ta diskutojmë. Është një nga projektet e mira, që është shtyrë. Por, vazhdimi i reformave të njëanshme në sistem të drejtësisë, pa konsensus politik, pa mbështetje nga faktori ndërkombëtar, në radhë të parë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila e ka kundërshtuar procesin e Vettingut, mendoj që është një diçka e rrezikshme për Kosovën dhe mendoj që kjo duhet të ndalet dhe ne do të përpiqemi me çdo mjet që ta bindim Qeverinë që këtë logjikë ta ndërpres dhe të ulemi të diskutojmë bashkë dhe t’i çojmë përpara këto reforma që janë vitale për shtetin”, shtoi Gruda.