TEMPUS

Osmani: Nëse konstatohen shkelje ligjore, dorëheqjet të mos ndalen veç te ZRRE-ja

Avokati Editon Osmani ka thënë se nëse konstatohen shkelje ligjore në vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike, dorëheqjet duhet të mos ndalen në ZRRE, por të vazhdojnë edhe në institucione të tjera.

“PDK-ja ka parashtruar mirë padinë, ka kërkuar edhe rimbursimin e qytetarëve, mirëpo qytetarët kanë mundësi që edhe përmes padisë kolektive, që ia lejon Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, ta ushtrojnë këtë të drejtë, domethënë padi kolektive, të bëhet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që t’i drejtohen gjykatës. Mirëpo, besoj që edhe me padinë e PDK-së arrihet qëllimi që mund të arrihet me padinë kolektive. ZRRE-ja, nëse konsiderohet që ka paligjshmëri duhet të dorëhiqet, besa duhet të shtrihet dorëheqja edhe në institucione më të larta”, ka thënë ai.

Osmani është shprehur i gatshëm që të ndihmojë nëse kërkohet ndihmë ligjore, ndërsa tha se nëse konstatohet se ka paligjshmëri në Komisionin Parlamentar, do të hapet rast penal.

“Nëse konstatohen se ka paligjshmëri nga Komisioni Parlamentar, do të hapet rast penal, unë personalisht marr obligim, nëse Kuvendi i Kosovës apo Avokati i Popullit konsideron se duhet ndihmë ligjore, unë personalisht marr përsipër që ta ndihmoj këtë proces, sepse nëse ka ndodhur ajo që konsiderohet që ka ndodhur gjatë muajve që nuk ka pasur konsum, d.m.th ka rënë konsumi, atëherë kemi të bëjmë me keqbesim të besimit qytetar edhe automatikisht këto institucione kanë thyer besimin qytetar edhe duhet një përgjegjësi penale në këtë proces”, theksoi Osmani.