Tech

NASA, mision për të eksploruar brendësinë e Marsit

Descriptive Text

Misioni më i fundit i NASA-s drejt një planeti tjetër niset të shtunën, një udhëtim 7-mujor për të çuar në Mars sondën që për herë të parë do të eksplorojë brendësinë e planetit të kuq.

Misioni “InSight” ka si qëllim që të ulë mbi sipërfaqe një makinë robot, me përmasat e një tryeze, në zonën që njihet me emrin “Elysium Planitia”, një fushë e gjerë dhe e sheshtë në ekuatorin e Marsit.

Normalisht, kjo zonë e mërzitshme nuk do të paraqiste asnjë interes, por sonda “InSight” do të eksplorojë në thellësi dhe jo rreth e rrotull, prandaj qetësia është ajo që i duhet, transmeton tch.

Mjeti marsian ka një sërë instrumentesh në bord, si për shembull sonda në formë heshte, që do të ngulet në tokën marsiane dhe do të masë shpejtësinë me të cilën ngrihet nxehtësia nga bërthama e planetit.

Një tjetër instrument është sizmometri, i cili do të qëndrojë mbi sipërfaqe dhe është kaq i ndjeshëm sa mund të diktojë dridhje më të vogla sesa gjerësia e atomit. Diçka që e bën domosdoshmëri qetësinë në zonën e uljes.

Duke vendosur veshin teknologjik mbi Mars, shkencëtarët shpresojnë të diktojnë tërmetet e planetit të kuq për herë të parë. Misioni synon të studiojë bërthamën e Marsit dhe strukturën e tij të brendshme, por së pari duhet të mposhtë një statistikë serioze. Më pak se 40% e të gjitha misioneve drejt planetit të kuq kanë pasur sukses.