Tech

Si e ndikojnë rrjetet sociale atë që mendojmë

Përdorues në Gjermani kalojnë nga pasiguria në revoltë: rrjetet sociale veprojnë pa na pyetur me gjurmët tona digjitale. Po a ka vërtet rrugëdalje? Informacion sfond i përgatitur për bisedën me News24.

Pasiguria dhe deri revolta artikulohet si nga politikanët, ashtu edhe nga përdoruesit e rrjeteve sociale në shumë vende të botës: gjurmët në internet kompania analitike britanike Cambridge Analytica ua shndërroi në një mjet për luftë psikologjike.

“Ne i gjejmë votuesit tuaj dhe i nxitim ata të veprojnë”, me këtë mburret kompania. Në SHBA ajo thuhet se ka përdorur të dhënat e 50 milionë përdoruesve të Facebookut për të ndikuar zgjedhjet presidenciale amerikane në dobi të kandidatit Donald Trump.

Me anë të një aplikacioni, me të cilin përdoruesit e Facebookut mund të bënin teste personaliteti, firma britanike mblodhi jo vetëm të dhënat e atyre që bënë testin. Por edhe të miqve të tyre. Me lejen e Facebookut, 270.000 të testuarit u bënë porta e të dhënave për miqtë e tyre në Facebook - duke arritur 50 milionë përdorues.

Roli i rrjeteve sociale në atë që mendojmë

Në Gjermani natyrisht që pyesin edhe se si shpjegohet që ka kaq shumë njerëz të pakënaqur sa të bëjnë forcë kryesore opozitare një parti populiste të djathtë, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit. Kjo, kur ekonomia gjermane lulëzon e papunësia është në shifra historikisht të ulëta.

Puna e pamjaftueshme e partive dhe ndarja e të ardhurave paraqiten si shkaqe, po në ç'masë ngushtohet mendimi i përdoruesve nga rrjetet sociale?

Algoritmat e rrjeteve sociale na ofrojnë në rrjedhën e lajmeve një botë të cunguar, ndërtuar mbi bazën e klikimeve tona “pëlqej” dhe klikimeve të kureshtjes sonë dhe të miqve tanë në rrjete sociale - një pjesë të të cilëve as nuk i njohim personalisht.

Kjo mund të duket praktike. Por kjo ofertë përjashton gjithçka tjetër që algoritmave të rrjeteve sociale u duket jo me rëndësi për ne. Pra përjashton edhe sfidimin e pikëpamjeve tona nga mendime të kundërta, për të cilat në një moment nuk kemi treguar interes - duke mos na i ofruar ato fare, ose gjithnjë e më pak në rrjedhën e lajmeve në ekran.

Kësaj i shtohet shfrytëzimi i gjurmëve tona digjitale nga kompani analitike. Persona - jo më robotë, pas mbledhjes ua shesin shijet tona atyre që duan të na ndikojnë. Ata përhapin pastaj përmes reklamave, postimeve në mediet sociale e çeljes së diskutimeve informacione të cunguara.

Hapa në Gjermani

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier tha se me informacione false dhe me teori komploti në rrjetet sociale, si në Facebook, krijohen botë paralele. Në to njerëzit kërkojnë konfirmim për veten duke komunikuar vetëm me njerëz që mendojnë si ata vetë. Dhe duke injoruar gjithçka që kundërshton pikëpamjen e tyre. Veç kësaj nën mbrojtjen e anonimitetit, njerëzit bëhen më të shfrenuar. I kalojnë kufijtë midis asaj që nuk mund të thuhet, dhe asaj që mund të thuhet.

Një zëdhënëse e qeverisë gjermane tha se qeveria i ka kërkuar zyrtarisht një pozicionim Facebookut. Komisioni Agjenda Digjitale i Bundestagut dëgjoi të premten në mëngjes sqarime nga përfaqësues të Facebookut.

Të dhënat nuk vidhen - gjurmët i lëmë vullnetarisht

Facebooku, Instagrami, Google na ofrohen si shërbime falas. Dhe një rregull bazë kapitalist thotë: kur shërbimi për klientët është falas, atëherë produkti me të cilin bëhen paratë është klienti vetë.

Facebooku mbledh të dhëna për shijet tona muzikore, për datëlindjen, ose që p.sh. neve na pëlqen të udhëtojmë, të lexojmë gazeta të caktuara, që preferojmë gatime të caktuara. Sipas ekspertëve, këto të dhëna ua shet kompanive të publicitetit, partive politike, mbledhësve të nënshkrimeve, që njohin kështu profilet dhe tendencat e qëndrimeve tona.

Të dhënat që përmenda nuk ka nevojë fare që ne t'i postojmë në Facebook. Facebooku lexon atë që ne bëjmë jashtë tij, në internet. E lexon përmes gjurmëve në memorjen kesh të kompjuterit tonë dhe në atë të aplikacioneve të ndryshme. Dhe këtë e kemi lejuar ne, ndër të tjera kur kemi pranuar kushtet e përdorimit të Facebookut.

Facebooku duhet t'i ruajë gjithsesi më mirë të dhënat tona personale. Që nga viti 2015 ai i ka ashpërsuar rregullat. Por disa ekspertë gjermanë thonë që nuk duhet pritur ndonjë ndryshim me themel prej tij. Sepse ai mbledh gjurmët që ne i lëmë vullnetarisht në internet.

Këshillat e ekspertëve - për të rriturit dhe fëmijët

Këshilla për përdoruesit e rritur të rrjeteve sociale është që ne mund t'i mbrojmë gjurmët tona digjitale deri në momentin kur ndajmë mendjen: t'i përdorim apo të mos i përdorim rrjetet sociale. Po i përdorëm, duhet të llogarisim pasojat, që burojnë nga modeli bazë i biznesit: tregtimi i të dhënave. Njëkohësisht rëndësi ka vetëdijësimi ynë për “blind spots”, për drejtimet ku jemi pashmangshmërisht “të verbër” në informacionin që na japin edhe rrjetet sociale - gjë që “përmirësohet” vetëm me diversitet burimesh të informimit.

Kurse për të rinjtë e fëmijët, psikologët gjermanë këshillojnë që të mos u bëjmë presion që ta shuajnë llogarinë e rrjeteve sociale si të Facebookut. Më tepër prindërit duhet t'i bindin fëmijët për përparësinë e të pasurit kohë për gjëra të tjera, si p.sh. për shokë të vërtetë, për sport. Prindërit, këshillojnë psikologët, duhet të jenë model me sjelljen e tyre. Dhe të ruajnë kontaktin me fëmijët, ku t'u përcjellin rëndësinë e takimeve reale, direkte.

Mediat sociale na lënë përshtypjen se na shpëton diçka pa e marrë vesh, kur nuk jemi të pranishëm aty. Prindërit duhet t'u bëjnë të qartë fëmijëve se është mirë edhe kur nuk je kudo. Kur vendimi për të mos qenë kudo merret me ndërgjegje, e rrit besimin e fëmijëve te vetja./DW