Tech

Kaspersky e ka siguruar kodin për hakerizëm nga një kompjuter amerikan

Descriptive Text

Kompania me seli në Moskë, Kaspersky Lab, ka pranuar se softueri antivirus i saj e ka marrë kodin burimor për hakerizëm, nga një kompjuter në Shtetet e Bashkuara.

Këtë pranim kompania e kumtoi sot lidhur me rezultatet e një hetimi të brendshëm, që kjo kompani e ka bërë, pasi mediat kanë raportuar se qeveria e Rusisë e kishte shfrytëzuar softuerin e antivirusit të saj, për mbledhje të të dhënave teknologjike të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Shqetësimet për aktivitetet e kompanisë, Kaspersky, kanë ndikuar që Departamenti i sigurisë së brendshme i Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, u ka ndaluar agjencive qeveritare amerikane që t’i përdorin prodhimet e firmës Kaspersky.

Më 5 tetor, e përditshmja Wall Street Journal ka raportuar se qeveria e Rusisë kishte mundësi për ta modifikuar softuerin Kaspersky dhe ta shndërrojë atë në mjet spiunimi.

Pas pesë ditësh, pra më 10 tetor, e përditshmja tjetër, New York Times, ka raportuar se zyrtarët e Inteligjencës së Izraelit kanë zbuluar se hakerët e qeverisë së Rusisë e kishin përdorë softuerin Kaspersky për spiunim.

Raportet që sugjeronin se Kaspersky ishte shfrytëzuar si kanal për spiunimin rus, presidenca e Rusisë i ka vlerësuar si “absurde”.