Tech

Një mini-dron personal për të marrë fotografi selfie

Descriptive Text

Një ditë ndoshta do të keni me vete dronin tuaj kudo që shkoni. Është shpikur tashmë një dron me përmasa të përshtatshme për ta mbajtur në xhep. I emërtuar “The Selfly”, droni i bashkëngjitet celularit. “The Selfly” kombinon celularin me një dron autonom që ka kamerën e tij. “Pajisja është pjesë integrale e celularit me gjerësi 9 milimetra. Ka kamerën e saj HD. E heq dhe është gati të fluturojë”, shpjegon krijuesi i “Selfly”, Hagay Klein. Droni përdor teknologji të lartë për stabilizimin e imazheve fotografike. Ai drejtohet nëpërmjet një aplikacioni në celular, që ka edhe opsionin e pilotit. “Ruan stabilitetin në ajër dhe mund të përdoret gjithkund me lehtësi”, thotë zoti Klein.

Imazhet nga kamera e dronit lidhen me celularin nëpërmjet Wifi. “E shikon xhirimin në celular dhe mund ta përpunosh sipas dëshirës. Mund t’i ndryshosh madhësinë dhe fokusin. Thjesht e zmadhon me gishta. Telefoni e përkthen menjëherë në urdhëra të rinj fluturimi për dronin, i cili zhvendoset automatikisht”, thotë zoti Klein. Bateria e dronit mundëson fluturimin në ajër për vetëm 5 minuta, ose mjaftueshëm për të marrë rreth 20 fotografi selfie.

“Deri më tani, njerëzit kishin një kamera në pjesën e mbrapme të telefonit dhe një të dytë në pjesën ballore. Tashmë të gjithë do të kenë edhe këtë kamera të tretë, por që mund ta shkëpusësh nga telefoni. Nuk të jep ndjesinë se po drejton një dron, por se vetëm kontrollon fotografitë e vetes”, thotë zoti Klein.

Droni “Selfly” mendohet të dalë në treg brenda këtij viti, me një çmim prej rreth 140 dollarësh. Dërgimi i tij brenda SHBA-së do të jetë falas, ndërsa drejt të gjitha vendeve të tjera të botës do të kushtojë 20 dollarë.