Tech

Avancon në shkallë tjetër inteligjenca artificiale

Laboratori amerikan për inteligjencë artificiale, “OpenAI”, ka lansuar GPT-4, versionin e fundit të sistemit që qëndron prapa “ChatGPT-së” së famshme. Për të ka thënë se është më kreativ, ka më pak gjasa “të krijojë fakte” dhe më pak i njëanshëm se pararendësi.

“ChatGPT” tashmë njihet. Është një “bashkëbisedues” i inteligjencës artificiale që u lansua në nëntor të vitit të shkuar. Një përdorues mund t’i shtrojë pyetje dhe ai menjëherë përgjigjet.

Në versionin e ri, bashkëthemeluesi i “OpenAI”, Sam Altman, ka thënë se sistemi i ri është “modeli më i aftë dhe më i përshtatshëm deri tash”. Ai ka deklaruar se në versionin e ri mund të pranohen fotografi dhe tekste si hyrje, duke ua mundësuar përdoruesve të pyesin edhe për fotot. Versioni i ri mund të trajtojë tekste më masive e mund të mbajë mend dhe të veprojë me më shumë se 20 mijë fjalë në të njëjtën kohë.

Modeli i ri është në dispozicion për përdoruesit e “ChatGPT Plus”, versionit të paguar të bashkëbiseduesit.

“OpenAI” ka punuar edhe me partnerë të tjerë në shërbimin e ri. Në versionin e ri me pagesë mundësohet që anglishtfolësit mund të bashkëbisedojnë edhe në dy gjuhë të tjera, frëngjisht dhe spanjisht. “GPT-4” ua shpjegon edhe gabimet gjuhësore. Në anën tjetër, “GPT-4” ndihmon kompanitë që të gjejnë mashtruesit potencialë nëpër forume të ndryshme.

Gjatë një demonstrimi të versionit të ri të martën, presidenti dhe bashkëthemeluesi i “OpenAI”, Greg Brockman, ka shpjeguar pak aftësitë njohëse të versionit të ri për fotografitë, e që ende s’është bërë publik dhe është duke u testuar. Funksioni “Be My Eyes” ia mundëson këtij sistemi të analizojë dhe t’u përgjigjet fotografive që futen në të e të përgjigjet për pyetje të ndryshme bazuar në ato foto. “‘GPT-4’ s’është vetëm model i gjuhës, por është edhe model i vizionit”, ka thënë Brockman, ka shkruar “The Guardian”.

“OpenAI” ka thënë se modeli i ri përmirëson gabimet që mund të ketë pasur versioni i shkuar, që kryesisht ka marrë kritika për këshilla mjekësore.

Një shqiptare 35-vjeçare është koka prapa zhvillimit të këtij sistemi. Bëhet fjalë për Mira Muratin.