Tech

SHBA, Holanda e Japonia me marrëveshje për kufizim të eksportit të çipave në Kinë

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar një marrëveshje me Holandën dhe Japoninë për të kufizuar eksportet e disa makinerive të avancuara të prodhimit të çipave në Kinë në bisedimet që kanë përfunduar të premten, raportoi Bloomberg, transmetoi Reuters të dielën.

Marrëveshja do të zgjeronte disa kontrolle të eksportit që SHBA-ja miratoi në tetor për kompanitë me bazë në dy vendet aleate, duke përfshirë ASMK Holding dhe Nikon Tokyo Electron.

Zyrtarë nga Holanda dhe Japonia shkuan në Uashington për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në bisedimet e udhëhequra nga këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, njoftoi se zyrtarët kanë diskutuar për çështje që janë të rëndësishme për të tri palët.

Siç merret vesh nga burimet, kufizimi i eksporteve të pajisjeve të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Kinë, ishte një ndër temat e diskutuara.

Marrëveshja me Holandën dhe Japoninë për të vendosur kontrolle më të rrepta të eksportit në Kinë do të ishte një fitore e madhe diplomatike për administratën e Presidentit Joe Biden, e cila në tetor njoftoi kufizime gjithëpërfshirëse për qasjen e Pekinit në teknologjinë amerikane të prodhimit të çipave për të ngadalësuar përparimet e saj teknologjike dhe ushtarake.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka thënë se ende nuk është vendosur nëse qeveria e tij do të zbulojë rezultatin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara mbi kufizimet e reja të eksportit për industrinë e gjysmëpërçuesve.