Tech

OKB-ja dhe BE-ja dënojnë Twitterin

Kombet e Bashkuara (OKB) i janë bashkuar Bashkimit Evropian (BE) për të dënuar vendimin e Twitterit për të pezulluar disa gazetarë që mbulojnë lajmet rreth platformës sociale.

Gazetarët e New York Times, CNN-it dhe Washington Post ishin në mesin e atyre që u bllokuan nga llogaritë e tyre, raportoi BBC-ja të premten.

OKB-ja shkroi në Twitter se liria e medias "nuk është një lodër" ndërsa BE-ja e ka kërcënuar Twitter-in me sanksione.

Zëdhënësi i Twitterit tha për një faqe interneti të lajmeve teknologjike në SHBA se ndalimet kishin të bënin me ndarjen e drejtpërdrejtë të të dhënave të vendndodhjes.

Ndërkaq, Melissa Fleming, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për komunikimet globale, tha se ishte "thellësisht e shqetësuar" nga raportet se gazetarët po pezulloheshin "arbitrarisht" nga Twitteri.

“Liria e medias nuk është një lodër. Shtypi i lirë është gur themeli i shoqërive demokratike dhe një mjet kyç në luftën kundër dezinformatave të dëmshme”, ka thënë ajo.

Më herët të premten, komisionerja e BE-së Vera Jourova kërcënoi Twitter-in me sanksione sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale të Evropës, i cili tha se kërkon "respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore".