Tech

Musku vazhdon të largojë staf nga Twitteri

Shefi i Twitterit, Elon Musk ka vazhduar shkarkimin edhe të dhjetëra punonjësve të kompanisë gjatë së mërkurës, shumica e të cilëve ishin inxhinierë, raportoi “BusinessInsider”.

Largimet nga puna erdhën të befasishme brenda Twitterit, thanë në kompani, derisa ky vendim u mor pasi Musk i kishte thënë stafit se nuk do të kishte më përjashtime.

Largimet nga puna, Musk ka deklaruar se po i bën për shkaqe të performancës, ndonëse punonjësit e pushuar, janë shprehur se lajmin e kanë marrë nëpërmjet një emaili, pa sqarime shtesë.

Deri më tani, mijëra punonjës të rrjetit social janë pushuar apo dorëhequr nga puna. Twitteri aktualisht po punon me staf shumë të reduktuar, derisa mediumi shkroi se disa janë detyruar të punojnë edhe gjatë Ditës së Falënderimeve.

Pak pas marrjes së detyrës si shef i Twitterit, Musk ishte shprehur se synon të bëjë përditësime dhe ndryshime “rrënjësore” brenda kompanisë.