Tech

Pas shteteve arabe edhe Egjipti kërkon që “Netflixi t’u përmbahet vlerave shoqërore”

Foto: Reuters

Rregullatori egjiptian i medias, ka kërkuar të mërkurën që gjiganti amerikan i transmetimit, Netflix, “t’u përmbahet vlerave shoqërore të këtij vendi” me shumicë myslimane, pasi u tha se kompania po shfaqë përmbajtje që lidhen me komunitetin LGBTQ, shkroi Associated Press.

Një kërkesë e tillë Netflixit iu bë edhe nga shtetet arabe, pasi të tilla përmbajtje konsiderohen ofenduese për këto vende.

Sipas deklaratës së qeverisë egjiptiane, shërbimet e transmetimit duhet të jenë në përputhje me parimet shoqërore dhe vlerat e vendit në të cilin po transmetohen.

Deklarata u bëri thirrje atyre të ndërmarrin masa të nevojshme nëse transmetojnë “përmbajtje që bien ndesh me vlerat e shoqërisë”.

Një sondazh i vitit 2013 nga Qendra Kërkimore Pew, zbuloi se 95 për qind e të anketuarve në Egjipt kanë thënë se anëtarët e komunitetit LGBTQ duhet të refuzohen nga shoqëria.

Edhe pse nuk ndalohet drejtpërdrejt me ligj, anëtarët e komunitetit LGBTQ shpesh ndiqen penalisht nën akuzat e imoralitetit dhe shthurjes në këtë vend.