Tech

Mali i Zi fajëson një grup kriminal për sulmet kibernetike ndaj qeverisë

Mali i Zi të mërkurën fajësoi një grup kriminal të quajtur “Cuba ransomware” për sulmet kibernetike që kanë goditur infrastrukturën digjitale të qeverisë së vendit që nga java e kaluar, të përshkruar nga zyrtarët si të paprecedentë, shkruan Reuters.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, i tha televizionit shtetëror se grupi kishte krijuar një virus special për sulmin të quajtur Zerodate, me 150 stacione pune në 10 institucione shtetërore që u infektuan.

Faqet e internetit të qeverisë janë mbyllur që nga sulmi, të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zi (ANB) e ka lidhur me Rusinë.

“Tashmë kemi një konfirmim zyrtar, mund të gjendet edhe në ueb-in e errët ku do të publikohen dokumentet që janë hakuar nga kompjuterët e sistemit tonë”, shtoi Dukaj.

Qeveria nuk kishte marrë asnjë kërkesë për shpërblim për materiale të komprometuara.

Grupi i hakërrimit mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ka marrë "dokumente financiare, korrespondencë me punonjësit e bankës, lëvizjet e llogarive, bilancet, dokumentet tatimore", nga parlamenti i Malit të Zi më 19 gusht.

Parlamenti, i cili nuk është në sistemin kompjuterik të qeverisë, mohoi çdo vjedhje të të dhënave, duke thënë se pas një periudhe kur të dhënat ishin të paarritshme në datat 20-21 gusht, sistemi i tij u rikuperua plotësisht dhe ishte funksional. Të dhënat që grupi pretendonte se kishte marrë ishin të disponueshme publikisht në portalin e tij të internetit, shtoi ai.

Byroja Federale e SHBA-së për Hetimin (FBI) do të dërgojë Ekipet e Veprimit Kibernetik në Mal të Zi për ta ndihmuar atë të hetojë sulmet.

Zyrtarët qeveritarë kanë konfirmuar se ANB-ja dyshon se Rusia qëndron pas sulmeve, duke thënë se ato mund të jenë hakmarrje pasi Mali i Zi, anëtar i NATO-s, iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe dëboi disa diplomatë rusë.

Hakerët sulmuan gjithashtu infrastrukturën digjitale shtetërore të Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve më 2016, dhe më pas përsëri në një hark kohor prej disa muajsh më 2017 kur ish-republika jugosllave ishte gati të bashkohej me NATO-n.