Tech

TikToku do t’i parandalojë postimet e mesazheve politike me pagesë

TikToku do të punojë për të parandaluar që krijuesit e përmbajtjeve të postojnë mesazhe politike me pagesë, si pjesë e përgatitjes së tij për zgjedhjet afatmesme në SHBA, në nëntor, bëri të ditur kompania të mërkurën.

Kritikët dhe ligjvënësit akuzojnë TikTokun dhe kompanitë rivale të mediave sociale, përfshirë Meta Platforms (META.O) dhe Twitter (TWTR.N) se kanë bërë shumë pak për të ndaluar përhapjen e dezinformatave politike dhe përmbajtjeve përçarëse në aplikacionet e tyre, raportoi Reuters të mërkurën.

Ndonëse TikToku ka ndaluar reklamat politike me pagesë që nga viti 2019, strategët e fushatës e kanë anashkaluar ndalimin, duke paguar ndikues për të promovuar çështje politike.

“Kompania kërkon të mbyllë zbrazëtirën duke organizuar informime me krijuesit dhe agjencitë e talenteve për t'u kujtuar atyre se postimi i përmbajtjes politike me pagesë është kundër politikave të TikTokut”, tha Eric Han, kreu i Sigurisë në SHBA i TikTokut, gjatë një konference me gazetarë.

Ai shtoi se ekipet e brendshme, duke përfshirë ato që punojnë për besimin dhe sigurinë, do të monitorojnë për shenja se krijuesit po paguhen për të postuar përmbajtje politike dhe kompania gjithashtu do të mbështetet në raportet e medias dhe partnerët e jashtëm për të gjetur postime shkelëse.

TikToku bëri të ditur planin e tij pas përditësimeve të ngjashme nga Meta dhe Twitter.