Tech

Musk humb betejën e parë ndaj Twitterit

Data për gjyqin e Elon Muskut për marrëveshjen e tij me Twitterin do të ndodhë në tetor, ka vendosur një gjykatë.

Vendimi i Gjykatës së Delawaret vjen pasi Twitteri kërkoi që Musku të përmbushte marrëveshjen e blerjes siç ishin marrë vesh fillimisht.

“Realiteti është se vonesa e gjyqit kërcënon me rrezikun e dëmit të pariparueshëm. Ne duhet të shkojmë në gjyq në tetor të këtij viti”, u tha nga gjykata, raportoi The Independent. 

Twitteri deshi që Musku të gjykohej në një datë sa më të afërt, ne mes të shtatorit. Musk deshi që data të shtyhej në shkurt 2023.

“U bë e qartë se Musk asnjëherë nuk do të pranonte po-në si përgjigje. Twitteri mund ta menaxhojë këtë, por kompania përballet me rrezik në rritje... kjo për shkak të planit të Muskut”, tha Bill Savitt, përfaqësues i Twitterit.

Twitteri paditi Muskun javën e kaluar, duke argumentuar se miliarderi është ligjërisht i obliguar ta kryejë blerjen prej 44 miliardë dollarëshe të rrjetit social, pasi Musk tha se donte të tërhiqej nga marrëveshja.