Tech

Rusia do të përmirësojë monitorimin e transaksioneve të kriptomonedhave

Agjencia ruse e monitorimit financiar, Rosfinmonitoring, ka thënë të premten se po përdorë softuerë për të gjurmuar transaksionet e kriptomonedhave dhe shpreson të përmirësojë punën e saj me rregulloren e re që do të vë Moska për këtë çështje.

Banka e Rusisë prej kohësh ka shprehur mëdyshjet mbi kriptovalutat, duke përmendur shqetësimet e stabilitetit financiar, shkroi të premten Reuters.

“Rusia ka identifikuar tashmë raste specifike kriminale të përfshira në kriptovaluta”, ka thënë kryetari i Rosfinmonitoring, Yuri Chikhanchin, duke shtuat se agjencia dëshiron të përmirësojë sistemet e saj dhe të identifikojë transaksionet dhe zinxhirët që janë aktualisht të fshehura.

Teknologjia ‘blockchain’ mbi të cilën bazohen kriptovalutat regjistron transaksionet, por jo identitetin e pronarëve të tyre, duke e bërë të vështirë gjurmimin.

Industria e kriptove ka qenë në pikëpyetje të rregullatorëve, të cilët shqetësohen se një rënie e fundit në tregun e paqëndrueshëm mund të godasë sektorin më të gjerë financiar.

Banka Qendrore e Rusisë ka thënë se është e hapur për të lejuar përdorimin e kriptomonedhave për shlyerjet ndërkombëtare dhe ka miratuar transaksione të tjera të aseteve digjitale.