Tech

Komisioni Federal në SHBA kërkon fshirjen e TikTokut

Komisioneri i Komisionit Federal të Komunikimeve në Shtetet e Bashkuara, Brendan Carr, u ka bërë thirrje Appleit dhe Googleit që të fshijnë TikTokun nga dyqanet e tyre të aplikacioneve për shkak të modelit të praktikave për fshehjen e të dhënave, shkruan CNN.

Carr i shkroi Appleit dhe Googleit të martën për t’i bërë kërkesë, e cila vjen pas një raporti të BuzzFeed News javën e kaluar që pretendonte se stafi i TikTokut me bazë në Kinë mund të hynte në të dhënat e përdoruesve amerikanë, pavarësisht mohimit nga kompania.

“Siç e dini, TikTok është një aplikacion që është i disponueshëm për miliona amerikanë përmes dyqaneve tuaja të aplikacioneve dhe mbledh një sasi të madhe të dhënash të ndjeshme për ata përdorues amerikanë. TikToku është në pronësi të ByteDance me bazë në Pekin – një organizatë që i nënshtrohet Partisë Komuniste të Kinës dhe e cila kërkohet nga ligji kinez për të përmbushur kërkesat e mbikëqyrjes së PRC”, shkroi Carr në një letër drejtuar Sundar Pichai dhe Tim Cook.

“Është e qartë se TikTok paraqet një rrezik të papranueshëm të sigurisë kombëtare për shkak të mbledhjes të të dhënave duke u kombinuar me qasjen e Pekinit në ato të dhëna të ndjeshme”.

Praktikat e të dhënave të përdoruesve të TikTokut kanë qenë prej kohësh të diskutueshme. Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë që ndalonin aplikacionet e lidhura me Kinën gjatë mandatit të tij. Trumpi shkoi aq larg sa kërkoi ndalimin e TikTokut në vitin 2020.

Sa i përket kompanisë mëmë të TikTok, ByteDance, ka pretenduar prej kohësh se nuk ka shqetësime për privatësinë me aplikacionin TikTok, duke premtuar se të dhënat e përdoruesve të Shteteve të Bashkuara ruhen në SHBA, jo në Kinë, ku ndodhet ByteDance.

Ndalimet e Trumpit nuk u zbatuan kurrë për shkak të disa urdhrave të gjykatës që bllokuan kufizimet. Trumpi pretendoi se aplikacionet përbënin rrezik për sigurinë kombëtare.

Presidenti aktual Joe Biden anuloi urdhrat ekzekutivë të Trumpit në qershor 2021. Urdhrat u përpoqën të detyronin ByteDance t'i shiste operacionet e saj të TikTok në SHBA te një kompani amerikane. Bideni gjithashtu anuloi një urdhër tjetër ekzekutiv që synonte ndalimin e disa aplikacioneve financiare, duke përfshirë Alipay dhe WeChat Pay.

Administrata Biden ka thënë se do të ketë qasje bazuar në prova kur shqyrton shqetësimet e sigurisë të paraqitura nga aplikacionet e ndryshme.