Tech

Meta, Google e Twitter e Microsoft premtojnë të luftojnë më mirë lajmet e rreme

Kompanitë e njohura të teknologjisë, Meta, Google, Twitter dhe Microsoft, janë zotuar të enjten se do të luftojnë dezinformimin sipas kodit praktik të përditësuar nga Bashkim Evropian, pasi ndryshe mund të gjobiten më ashpër nga BE-ja, raportoi Reuters.

Përveç këtyre njësive, më shumë se 30 nënshkrues ku përfshihen edhe organet e reklamave, janë angazhuar në respektimin e këtij Kodi të përditësuar të praktikës për dezinformim, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Këto kompani do të punojnë më shumë në trajtimin e falsifikimeve, të llogarive të rreme dhe reklamave politike, pasi gjobat mund të shkojnë deri në 6 për qind të qarkullimit global të tyre.

Kompanitë të cilat përfshijnë platformën e transmetimit të drejtpërdrejtë të TikTokut, Amazonit dhe Twitchit, kanë gjashtë muaj kohë për të përmbushur premtimet dhe për të paraqitur një raport progresi në fillim të vitit 2023.

"Kodi i ri është një dëshmi se Evropa ka mësuar mësimet e saj dhe se nuk jemi më naivë. Nëse ka shkelje të vazhdueshme të rregullave, mund të mendojmë ndalimin e qasjes të tyre në hapësirën tonë të informacionit", ka thënë në një konferencë nënkryetarja e Komisionit, Vera Jourova.