Tech

Rusia mohon se planifikon të bllokojë YouTuben

Rusia nuk po planifikon të bllokojë Youtuben e cila është në pronësi të Alphabetit, ka thënë të martën ministri rus për zhvillimin digjital, duke pranuar se një veprim i tillë mund të bëjë që përdoruesit rusë t’i vuajnë pasojat dhe për këtë arsye duhet të shmanget, raportoi Reuters.

Pavarësisht gjobave për disa muaj dhe kërcënimeve ndaj YouTubet për mosfshirjen e përmbajtjes që Moska e konsideron të paligjshme dhe për kufizimin e aksesit në disa media ruse, ajo nuk ka marrë një hap tjetër për bllokimin e kompanisë së shpërndarjes së videove.

"Nuk po planifikojmë të mbyllim YouTuben. Mbi të gjitha, kur kufizojmë diçka, duhet të kuptojmë qartë se përdoruesit tanë nuk do të vuajnë. Nuk duam të mbyllemi nga askush, përkundrazi mendojmë se Rusia duhet të mbetet pjesë e rrjetit global”, ka thënë Maksut Shadaev, i cili është ministër i zhvillimit digjital.

Me rreth 90 milionë përdorues mujorë në Rusi, YouTube luan një rol të rëndësishëm në ekonominë dixhitale.

Rusia kufizoi qasen në Twitter dhe në Facebook e Instagram të Meta Platforms në fillim të muajit mars. Ndërsa në prill u zotua të ndëshkonte Googlen për mbylljen e rrjeteve të financuara nga shteti rus në mbarë botën.