Tech

Elon Musk mbledh 19 investitorë për ta ndihmuar në blerjen e Twitterit

Elon Musk mbledh 19 investitorë për ta ndihmuar në blerjen e Twitterit

Miliarderi Elon Musk ka grumbulluar 19 investitorë të rinj për të ndihmuar me blerjen e Twitterit, prej 44 miliardë dollarësh.

Angazhimet, që arrijnë në 7.1 miliardë dollarë, do t’ia mundësojnë Muskut që ta zvogëlojë rrezikun e tij në marrëveshjen e cila është miratuar nga bordi i Twitterit, por nuk është përfunduar, raportoi BBC-ja të enjten.

Bashkëthemeluesi i Oracle dhe miku i Muskut, Larry Ellison, është kontribuuesi i vetëm i madh, me 1 miliard dollarë.

Investitorë të tjerë përfshijnë firmën e njohur sipërmarrëse të Silicon Valley “Sequoia Capital” dhe atë për shkëmbimin e kriptmonedhave, Binance.

Ka ende njëfarë pasigurie se Musku – i cili është edhe shef ekzekutiv i prodhuesit të veturave elektrike Tesla dhe kompanisë së raketave SpaceX, do ta përfundojë blerjen e tij të planifikuar.

Musku, renditja e të cilit si personi më i pasur në botë është e lidhur me vlerën e aksioneve të tij në Tesla, ka thënë se planifikon të financojë blerjen përmes një përzierje kredish, investimesh dhe parash.

Në javët e fundit, ai shiti rreth 8.5 miliardë dollarë aksione të Tesla-s, para që pritet të përdoren për financimin e marrëveshjes. Ai ka marrë 13 miliardë dollarë kredi nga bankat dhe po ashtu po merr hua.