Tech

Google kërkon nga gjykata t’ia heqë gjobën e BE-së prej 1.5 miliardë eurosh

Descriptive Text

Kompania teknologjike, Google, ka kërkuar të hënën nga gjykata e dytë më e lartë e Evropës, që t’ia heqë gjobën prej 1.49 miliardë eurosh, raportoi të hënën Reuters.

Gjoba është vendosur nga rregullatorët Bashkimit Evropian, tri vjet më parë.

Komisioni Evropian, në vendimin e vitit 2019, ka thënë se Google ka abuzuar me dominimin e tij ndaj rivalëve më të vegjël evropianë, duke përdorur ndërmjetësues nga platforma AdSense, për ofrimin e reklamave.

Sipas komisionit, këto praktika në kundërshtim me ligjin, kanë ndodhur për një dekadë, nga viti 2006 deri më 2016.

Google ka kundërshtuar konstatimet e BE-së në Gjykatën e Përgjithshme me qendër në Luksemburg.

Këtë kundërshtim kompania do të paraqesë gjatë një seance dëgjimore 3-ditore që ka filluar të hënën.