Tech

Kolonizimi i hapësirës: Si do të kultivohej mishi pa kafshë

Jeff Bezos dhe Elon Musk synojnë ta kolonizojnë hapësirën. NASA ndërkohë, po përpiqet të vendosë njerëz në planetin Mars. Por, nëse njerëzit duan të krijojnë komunitete në Hënë ose në ndonjë planetë tjetër, çka do të hanë?

Në një artikull të BBC-së, të publikuar të martën, thuhet se po kryhen shumë eksperimente për të parë nëse bimët mund të lulëzojnë në hapësirë. Që nga java e kaluar, një testim i ri ka filluar për të parë nëse qelizat e mishit mund të rriten në hapësirë. Shkencëtarët po e konsiderojnë hap të madh kultivimin e mishit dhe produkteve ushqyese në hapësirë, me qëllim që jetesa atje të realizohet.

Eksperimenti po kryhet nga kompania izraelite Aleph Farms, e specializuar për rritjen e mishit nga qelizat. Ky eksperiment u ndërmjetësua me NASA-n nga një ekip astronautësh.

Skeptikët thonë se metoda e kultivimit është e paqëndrueshme dhe se kultivimi i mishit të vetmin opsion do ta ketë “bartjen nga Toka”.

Rritja e mishit nëpërmjet qelizave nuk është e lehtë, madje as në planetin Tokë. Kompania izraelite është një ndër ato që po përpiqet ta bëjë këtë. Por, kompania nuk është e kënaqur me termin “mish i rritur në laborator”, ndonëse sipas BBC-së, ky proces nuk lidhet pothuajse fare me rritjen tradicionale.

Si bëhet kultivimi i mishit?

Qelizat nga një lopë (mund të jetë çdo lloj kafshe) ushqehen me përbërësit që nevojiten, si aminoacidet dhe karbohidratet. Qelizat shumohen deri të formohet indi muskulor dhe më pas mund të konsumohet porsi mish i zakonshëm. Ky proces njihet me termat “kultivim” ose “riprodhim”.

Pse të kultivohet mishi në hapësirë?

Drejtoresha e programit hapësinor të Aleph Farms, Zvika Tamari, është skeptike për këtë. Ajo deklaroi se shkencëtarët nuk e dinë nëse kultivimi i mishit mund të bëhet në një hapësirë me gravitet zero.

"Ne e dimë nga shumë studime të mëhershme shkencore se fiziologjia dhe biologjia sillen shumë ndryshe në një mjedis të mikrogravitetit. Pra, ne në fakt nuk e dimë, askush nuk e di nëse këto procese të kultivimit së mishit mund të ndodhin në të vërtetë në hapësirë”.

Larry Connor, Eytan Stibbe, Mark Pathy dhe Michael Lopez, janë katër burrat që më 8 prill “shpërthyen” drejt hapësirës me një raketë SpaceX, në misionin e parë privat në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Me vete sollën një ene të vogël në të cilën mbanin mbetje qelizash të kafshëve. Ato do t’i përdorin për studime madhore.

A ia vlen një gjë e tillë?

Ekspertët thonë se edhe nëse eksperimenti është i suksesshëm dhe mishi mund të kultivohet në hapësirë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se është një ide e mirë.

Investitori në Aleph Farms, njëherit artist i njohur, Leonardo DiCaprio, që njihet për kauzat për mbrojtjen e ambientit, ka përmendur faktin se ka një arsye që supermarketet lokale nuk janë të mbushura me mish të rritur nga qelizat, ndonëse miliona dollarë janë “derdhur” në këtë industri.

Për mishin e kultivuar, kompania izraelite është në pritje të miratimit të rregullores nga autoritetet për të lejuar shërbimin e mishit nëpër restorante.

Mishi i kultivuar, sipas inxhinierit kimik, David Humbird, ka telashe të tjera.

“Qelizat e kafshëve rriten ngadalë. Nëse bakteret ose kërpudhat do të futeshin në kulturë, ato do të rriteshin shumë më shpejt nga qelizat shtazore, kështu që ju nuk po krijoni më qeliza shtazore. Ju po krijoni baktere. Dhe duhet t'i hidhni ato”, tha ai.

Ndaj këtij deklarimi ka reaguar Aleph Farms, duke thënë se problemi i sterilitetit mund të trajtohet, “veçanërisht në hapësirën ku duhet të prodhohen sasi relativisht të vogla mishi”.

Transporti i kushtueshëm

Transporti që duhet t’i bëhet mishi për në hapësirë konsiderohet të jetë i shtrenjtë, ka bërë të ditur kompania. Shifrat ndryshojnë, por në bazë të një vlerësimi të NASAS, një kilogram mish drejt hapësirës mund të kushtojë afro 10 mijë dollarë.

Ende më shtrenjtë do të kushtonte transportimi i mishit drejt Marsit, pasi është miliona kilometra më larg

“Marsi është miliona e miliona kilometra larg. Dhe kështu të jesh në gjendje të prodhosh ushqimin tënd në vend është një avantazh i madh”, u tha tutje nga Aleph Farms.

Ish-astronautja amerikane e NASA-s, Karen Nyberg, deklaroi se faktor kyç në hapësirë është të ushqyerit, që sipas saj, lidhet drejtpërdrejt me aspektin psikologjik.

“Ushqimi vjen në qese të bardha, të cilat duhet t'i pastrojmë. Qumështi pluhur dhe gjëra të tilla. Më pëlqente era e hudhrës dhe vajit të ullirit, dhe është diçka që nuk e kishim (në hapësirë), tha ajo, që ka qëndruar pesë muaj e gjysme në Stacionin Ndërkombëtare të Hapësirës, e aktualisht është në bordin e Aleph Farms.

Image
Kështu duket ushqimi që astronautët e marrin me vete në ekspedita hapësinore

Rritja e produkteve në hapësirë, vlerësohet se nuk do të ishte kurrë e njëjtë me ato të tokës, për shkak se vlerat e tyre ushqyese do të ishin shumë më të ulëta.