Tech

Elon Musk blen 9.2% të aksioneve në Twitter

Descriptive Text

Themeluesi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka blerë së fundi 9.2% të aksioneve në Twitter, duke e bërë kështu aksionari më i madh në kompani.

Lajmi për blerjen bëri që aksionet e Twitterit të rriten me 22%, raportoi CNN-i të martën.

Musk ka qenë një kritik i profilit të lartë të politikave të Twitter në të kaluarën. Muajin e kaluar ai ka thënë se po mendonte seriozisht për krijimin e një platforme të re të mediave sociale.

“Duke pasur parasysh se Twitteri shërben si shesh publik de facto i shtetit, dështimi në respektimin e parimeve të fjalës së lirë minon rrënjësisht demokracinë”, ka shkruar Musk në Twitter muajin e kaluar.

Në SHBA, sa herë që një investitor blen 5% ose më shumë të aksioneve të një kompanie, ai duhet të zbulojë blerjen në dosjet pranë Komisionit të Letrave me Vlerë. Megjithëse aksionet prej më pak se 10% në një kompani konsiderohen "pasive" në sytë e Wall Streetit, kjo mund të sinjalizojë një përpjekje të Muskit për të marrë një rol më aktiv në mënyrën se si drejtohet Twitteri.

"Unë mendoj se ai synon të aktivizohet dhe të detyrojë ndryshime në Twitter”, ka thënë Dan Ives, analist i teknologjisë.