Tech

Rrjeti i Trumpit Truth Social me shumë probleme

Në shkurtin e këtij viti, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lansoi rrjetin social Truth Social, siç tha ai “për t’i bërë ballë tiranisë së teknologjisë së madhe”.

Mirëpo, ende pa u mbushur dy muaj, ky rrjet po ka telashe të mëdha, raportoi BBC-ja të hënën.

Rreth 1.5 milionë përdorues nuk po arrijnë të kenë qasje në të. Truth Social nuk është i qasshëm në telefonat e sistemit Android e as për shumicën e njerëzve jashtë SHBA-së.

“Për shkak të kërkesës masive, ne ju kemi vendosur në listën tonë të pritjes. Ju duam juve dhe nuk jeni vetëm numër për ne. Por, numri juaj në listën e pritjes është 1.419.631”, thuhet në mesazhin e Truth Social për një nga përdoruesit që tentoi të regjistrohej.

Drejtori i Qendrës në New York për Media Sociale dhe Politikë tha se kjo çka po i ndodhë rrjetit social është fatkeqësi.

Një aleat republikan që nuk deshi të identifikohej tha se askush nuk e di se çka po ndodhë me këtë rrjet social.

Më 21 shkurt, Truth Social ishte një nga aplikacionet më të shkarkuara në App Store, por shumë nga ta nuk mund ta përdornin atë.

Trump vendosi të krijojë një rrjet social të tij pasi u bllokua në rrjetet tjera për shkak të “rrezikut që shfaqte për SHBA-në” me deklaratat e tij.