Tech

Samsungu vonon porositë për modelet S22 shkaku “i interesimit të madh”

Kompania Samsung ditë më parë prezantoi serinë e re të telefonave - Galaxy S22. U prezantuan tri modele - Samsung Galaxy S22, Samsung Galaxy S22+ dhe Samsung Galaxy S22 Ultra. Por duket se kompania po përballet me probleme “të ëmbla” ende pa nisur prodhimin masiv.

Samsungu gjatë prezantimit më 9 shkurt të këtij viti njoftoi se porositë e para do të dërgohen te blerësit më 25 shkurt, por ata që i kanë porositur këto modele dhe janë shumë sipas kompanisë jug-koreane, duhet të presin ende.

Sipas njoftimit, për shkak të interesimit të madh, dorëzimi i porosive do të vonohet.

Samsung njoftoi se interesimi për këtë model është në kulm dhe se numri i para-porositjeve i kalon pritshmëritë e kompanisë. Vonesat do të varen edhe nga tregu, modeli, ngjyra e telefonit e të tjera. Kompania ka kërkuar nga klientët durim dhe mirëkuptim.

Në faqen zyrtare të Samsungut thuhet se nëse dikush porosit sot një telefon Galaxy S22 ose Galaxy S22 Plus, do ta marrë porosinë më 4 mars, ndërsa për ngjyrat ekskluzive të telefonit duhet pritur më shumë.

Amazon dhe Best Buy vazhdojnë të pranojnë porositë paraprake, por nuk zbulojnë informacione se kur telefonat mund t'u dorëzohen klientëve.

Samsung Galaxy S22 dhe Galaxy S22+ janë në dispozicion në katër ngjyra - e zezë, krem, blu dhe vjollcë, ndërsa Galaxy S22 Ultra është në dispozicion në të zezë, të kuqe dhe blu.

Çmimi fillestar i telefonit Samsung Galaxy S22 në Evropë është 850 euro, ndërsa çmimi fillestar i telefonit Samsung Galaxy S22+ është 1.050 euro. Samsung Galaxy S22 Ultra në Evropë kushton nga 1.250 deri në 1.650 euro.