Virgin Galactic ka nisur shitjet e biletave për publikun për herë të parë, duke ofruar udhëtime në skajet e hapësirës për 450,000 dollarë.
Kompania e turizmit hapësinor të Richard Branson po shet 1,000 bileta për një udhëtim 90-minutësh në bordin e saj VSS Unity, duke u nisur nga Spaceport America në New Mexico.
"Ne planifikojmë të kemi 1,000 klientët tanë të parë në bord në fillimin e shërbimit komercial më vonë këtë vit, duke siguruar një bazë tepër të fortë ndërsa fillojmë operimet e rregullta dhe zgjerojmë flotën tonë”, ka thënë themeluesi i Virgin Galactic, Michael Colglazier.
Pasagjerët do të jenë në gjendje të përjetojnë mikro gravitetin 80 km mbi nivelin e tokës dhe të dëshmojnë lakimin e Tokës nga dritaret e mjetit.
“Do të shihni se ngjyra jashtë dritares ndryshon nga blu, në të zezë, duke sinjalizuar mbërritjen tuaj në hapësirë”, thuhet në faqen e Virgin Galactic.
“Kabina është projektuar për kënaqësinë tuaj, duke përfshirë 17 dritare për pamjet befasuese të Tokës.”
Virgin Galactic u referohet pasagjerëve të saj si "astronautë", megjithëse ky përkufizim është kundërshtuar nga agjencitë hapësinore.
Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) përditësoi përkufizimin e saj zyrtar për fjalën "astronaut" vitin e kaluar, duke deklaruar se termi duhet t'u referohet anëtarëve të një ekuipazhi që "demonstroi aktivitete gjatë fluturimit që ishin thelbësore për sigurinë publike, ose kontribuan në sigurinë e fluturimeve njerëzore në hapësirë”.
Përditësimi i FAA-së do të thotë që Bransoni dhe themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, të dy nuk e fitojnë atë njohje, pavarësisht se kanë bërë udhëtime në hapësirë në vitin 2021.
-
16 shkurt 2022 19:55
-
Shpërndaje në: