Tech

Kryeministri australian humb kontrollin mbi llogarinë në WeChat

Kryeministri Australian, Scott Morrison, ka humbur kontrollin e llogarisë së tij në platformën WeChat, rrjet social në pronësi kineze.

Me këtë rast, një ligjvënës ka akuzuar të hënën liderët e Kinës për ndërhyrje politike.

76,000 ndjekësit e Morrison në WeChat u njoftuan se faqja e tij ishte riemërtuar "jeta e re kinezo-australiane" në fillim të këtij muaji dhe fotografia e tij ishte hequr, teksa raportohet se këto ndryshime u bënë pa dijeninë e qeverisë.

Në përgjigje për Associated Press, kompania mëmë e WeChat, Tencent, tha se nuk kishte “asnjë dëshmi për ndonjë hakerim apo ndërhyrje të palëve të treta”, në lidhje me llogarinë e Morrison. “Bazuar në informacionin tonë, kjo duket të jetë një mosmarrëveshje mbi pronësinë e llogarisë”, kanë thënë nga kompania.

Në përputhje me rregulloret kineze, llogaria publike e Morrison u regjistrua me një shtetas kinez dhe më vonë u transferua te operatori i saj aktual, tha kompania. Ai identifikoi pronarin aktual të llogarisë vetëm si një "kompani shërbimesh teknologjike", duke shtuar se do të "vazhdonte të shqyrtonte më tej këtë çështje", raporton AP.

Kryetari i Komitetit të Përbashkët Parlamentar për Inteligjencën dhe Sigurinë, James Paterson tha se WeChat nuk i ishte përgjigjur menjëherë një kërkese të qeverisë australiane që llogaria e kryeministrit të rikthehej.

Paterson akuzoi Partinë Komuniste Kineze se ka censuruar kryeministrin me zgjedhjet në Australi që do të mbahen në maj. Ai u bëri thirrje të gjithë ligjvënësve të bojkotojnë platformën.

"Ajo që qeveria kineze ka bërë duke mbyllur një llogari australiane është ndërhyrje e huaj e demokracisë australiane në një vit zgjedhor", tha Paterson.